Protesta e djeshme e qytetarëve të Kukësit kundër taksës së kalimit në Rrugën e Kombit u zhvendos sot te komisariati i policisë për të kërkuar lirimin e të ndaluarve.
Policia e Kukësit ka ndaluar 23 shtetas nën akuzat për shkatërrim prone me zjarr dhe kundërshtim i policisë gjatë protestës së djeshme në Rrugën e Kombit, pranë Tunelit te Kalimashit.
Sipas policisë, këta persona shkatërruan me zjarr kabinat e kalimit me pagesë të automjeteve, zyra të kompanisë, ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë.
Lista e të ndaluarve përmban 23 banorë të Kukësit dhe fshatrave përreth Morina, Nanga, Pobregu, Bushati, Kolshi, Shtiqen dhe Surroj, nga 21-60 vjeç, dhe po aq janë shpallur në kërkim nga policia.
Qindra qytetarë të Kukësit dhe një pjesë nga Kosova protestuan kundër vendosjes së taksës për kalimin në Rrugën e Kombit, që lidh Shqipërinë me Kosovën.
Protesta u kthye në përleshje të dhunshme me policinë dhe iu zjarri sporteleve të taksës.
Tubimi i thirrur nga këshillat bashkiake të krahinës nisi i qetë, por u acarrua nga kontaktet e protestuesve me forcat e policisë.
Nga përplasjet e dhunshme u plagosën duzina njerëzish nga policia dhe nga protestuesit.
Qytetarët e Kukësit kanë kërkuar lirimin e familjarëve të tyre, dhe janë shprehur se protesta kundër taksës së rrugës do të vazhdojë.
Rruga e Kombit i dha një shtytje të madhe afrimit të shqiptarëve në të dy anët e kufirit dhe rriti shkëmbimeve tregtare dhe turistike mes dy vendeve.
Taksa nga 5 euro për automjetet e vogla deri në 22.5 euro për automjetet e rënda u kundërshtua fort nga banorët dhe bizneset e Shqipërisë dhe Kosovës. (voa)