Ndërprerja e seancës: Vjosa Osmani ende pa kuorum të mjaftueshëm

VjosaDrama politike në Kosovë vazhdon. Ndërprerja e seancës parlamentare për zgjedhjen e presidentes të dielën në mesnatë u bë pas mosarritjes së numrit të duhur të deputetëve. Kritika nga BE për Albin Kurtin.

Në Kosovë deri në mesnatën e së dielës vazhdoi seanca për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, pastaj ajo u ndërpre në mungesë të kuorumit prej 2/3 të deputetëve. Dy herë u përsërit votimi në raundin e parë, por, në proces të votimit merrnin pjesë vetëm 79 deputetë. Tre deputetë të LDK-së nuk merrnin pjesë në votim dhe kjo bëri që të mos sigurohet numri i mjaftueshëm i votave, prej 2/3. Seanca për zgjedhjen e presidentit vazhdon të dielën pasdite.

Opozita: Kryeministri kërkon kontroll absolut mbi institucionet

Tri parti opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe lista Srpska, nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit. Udhëheqësi i PDK-së Enver Hoxhaj, para se partia e tij të largohet nga seanca tha, se “kryeministri i Kosovës Albin Kurti po e emëron Vjosa Osmanin në pozitën e Presidentes për të pasur kontroll absolut mbi institucione të rëndësishme”. Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese, tha ai.

“Dje e kishim një dramë, e cila ishte dramë e turpit, ishte kërcënim, shantazh për zgjedhje nëse Kuvendi i Kosovës nuk do ta votonte Presidenten. Ishte përpjekje për ta ngulfatur demokracinë në Kosovë. Sot, këtë seancë edhe pse zgjedhja e Presidentit duhet të ishte ditë feste, është kjo seancë e poshtërimit, sepse Vjosa Osmani nuk po zgjidhet presidente, por z.Kurti po e emëron zonjën Osmani presidente për të pasur një kontroll absolut mbi shërbimet si polici, ushtri atë inteligjent e mbi ambasada”, tha Enver Hoxhaj.

Edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se partia e tij është “kundër koncentrimit të pushtetit te një person apo parti politike, sepse kjo i bën dëm demokracisë në dobi të vendosjes së autoritarizmit.

Ligji për zgjedhjet acaroi situatën politike së fundmi në Kosovë

Një natë më parë qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, tentoi që ta miratojë një ligj për zgjedhjet e përgjithshme, pa konsultim me partitë politike opozitare, por nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme. Partitë opozitare e quajtën “shantazh të Kurtit ndaj opozitës”, përpjekjen për miratim ligji pa konsultim me partitë e tjera. Kjo përpjekje e Kurtit përplasi fort pozitën dhe opozitën duke rrezikuar kështu mos-zgjedhjen e presidentit që do ta çonte vendin automatikisht në zgjedhje të reja.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte premtuar se do të merrte pjesë në zgjedhjen e Presidentes, por tentimi i Kurtit për ligjin për zgjedhjet, pa njoftim paraprak, bëri që LDK të tërhiqet nga premtimi i saj, duke rrezikuar kuorumin për zonjën Osmani dhe që vendi do të shkonte automatikisht në zgjedhje. Albin Kurti u detyrua që ta tërheqë prapa ligjin për zgjedhjet, në mënyrë që LDK të qëndrojë në seancën për zgjedhjen e Presidentit.

Von Cramon: Përpjekje shqetësuese e kryeministrit Kurti për shantazh ndaj partive

Lëvizja politike e kryeministrit Kurti u kritikua nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e cila shkroi se “kryeministri Albin Kurti provoi që t’i shantazhojë partitë politike me Ligjin për Zgjedhjet”. “Mbrëmë ishim dëshmitarë të një përpjekje shqetësuese të kryeministrit Kurti për shantazh ndaj partive. Ky nuk ishte një fillim i mirë i Kuvendit të Kosovës. Të gjithë kemi pritur të shohim një votim të qetë për presidentin e ri të Kosovës, por përkundrazi kemi parë një përpjekje jashtëzakonisht shqetësuese të kryeministrit Albin Kurti për të shantazhuar subjektet e tjera politike lidhur me Ligjin për Zgjedhjet”, shkroi Viola Von Cramon.

Kurti pranoi dështimin e miratimit të ligjit

Vetë kryeministri Kurti me një postim në facebook, e pranoi që tentativa e tij dështoi për ta miratuar ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, e cilësoi si fitore të opozitës, ndërsa, tha se tash është koha të përmbyllet konstituimi i institucioneve qendrore.

“Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti. Zgjedhja e Presidentes së Republikës është fitore për Kosovën. Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë. Me zgjedhjen e Presidentes përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë. Pas fitores me 50,28% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne jemi shumica në Kuvendin e Kosovës. Mbrëmë deputetët tanë ishin shumica, por nuk ishin 2/3 e të pranishmëve. Nuk arritëm të procedojmë me projektligjin që ua mundëson mërgatës të votojë në ambasadat e konsullatat tona”, shkroi Kurti.

Që prej datës 5 nëntor të vitit të shkuar, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit, i cili akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 14 shkurt, ndërsa me 22 mars u konstituua Kuvendi dhe në të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin, kryetar i Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë, ndonëse vetë Kurti nuk kishte garuar në zgjedhje, sepse kishte probleme me ligjin. Por në listë të Vetëvendosjes ishte Vjosa Osmani, që në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi për deputete, pas ndarjes nga partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës.

dw

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>