Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi sot një tryezë me përfaqësues të shoqërisë civile, ku u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rrugën drejt ndryshimit. Tryeza u hap nga Kryetari i VETËVENDOSJE!-s, Visar Ymeri, i cili bëri një përmbledhje të dështimeve të koalicionit qeverisës dhe të dëmeve që ky koalicion i ka sjell vendit ne lidhje me marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi, por edhe sa i përket mungesës se hapave drejt zhvillimit ekonomik dhe shpërputhjes se plotë mes premtimeve elektorale të partive në pushtet dhe punëve të ekzekutivit. Më tej z. Ymeri nënvizoi rolin kyç që kanë përfaqësuesit e shoqërisë civile, gazetarët dhe opinionbërësit në Kosovë për realizmin e ndryshimit të domosdoshëm.
Përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile e morën fjalën duke vlerësuar nismën e Lëvizjes VETËVENDOJSE! për ta mbajtur një tryezë të tillë dhe për t’u konsultuar dhe koordinuar me shoqërinë civile. Shumë prej tyre ngritën shqetësimin për arrogancën dhe mungesën e llogaridhënies së qeverisë aktuale. Disa prej tyre u shprehën se shoqëria civile nuk mund të qëndrojë indiferente dhe neutrale ndaj krizës politike që ka kapluar vendin, dhe që tashmë është detyrë e çdo qytetari që të pozicionohet dhe të angazhohet për të sjell ndryshimin. Një pjesë e mirë e të pranishmëve ishin të mendimit që me të gjitha dëmet që kjo qeveri i ka shkaktuar vendit dhe me shkeljet kushtetuese që ajo tashmë i ka bërë, është dashur që prej kohësh ajo vetë të largohej nga pushteti.
Për të realizuar ndryshimin e domosdoshëm për Kosovën, pjesëmarrësit propozuan mjete dhe metoda të ndryshme, por megjithatë pjesa dërrmuese e tyre ranë dakord mbi një emërues të përbashkët sa i përket rrugës për daljen nga kriza politike ku është futur vendi. Sipas shumicës së tyre, zgjidhja janë zgjedhjet. Pjesëmarrësit në këtë tryezë u dakorduan që të mbahen më shpesh takime të tilla koordinuese dhe konsultative në mënyrë që të flitet me një zë të përbashkët drejt zgjedhjeve të parakohshme.
25 janar 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!