Nga 38.5 milionë euro që ka premtuar BE-ja për projekte zhvillimore të komunave veriore, deri me tani janë alokuar 8.5 milionë euro në vitin 2014, si dhe 3.5 milionë tani, ndërkohë komunat veriore kërkojnë 17 milionë euro.
Nëse jo në 38.5 milionëshin e BE-së, Mitrovica në jug kërkon hise në Fondin për Veriun.
Mitrovicë. BE-ja ka vazhduar me alokimin e mjeteve për komunat veriore të Kosovës nga 38 milionëshi i premtuar, ndërsa edhe Qeveria e Kosovës nuk ka mbetur anash, duke ndarë 15 milionë euro për katër komunat e veriut të vendit. Me gjithë këto jo pak mjete të ndara, në katër komunat e veriut të vendit, deri me tani janë realizuar fare pak projekte. Atje vazhdon të investojë shteti i Serbisë, edhe në infrastrukturën bazike, edhe në objekte banimi, si dhe në infrastrukturën shkollore dhe shëndetësore.
E ndërkaq, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka njoftuar se për katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, BE-ja ka dhënë 3.5 milionë euro ndihmë pa kthim. Siç përcjellin fjalët e Zhbogarit mediet serbe, 3.5 milionë euro,n BE-ja ua ka dhënë pa kthim komunave veriore për financimin e disa projekteve. “Disa projekte janë lejuar, ndërsa disa të tjera janë në fazën pranimit”, ka thënë Zhbogar.
Sipas përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, sllovenit Samuel Zhbogar, nga pagesa e doganës dhe tatimeve në vendkalimet në Jarinje dhe në Bërnjak, në Fondin për Veriun janë derdhur deri me tani 6.7 milionë euro. Në një deklaratë për mediet serbe, Zhbogar tha se se komunat në veri, qysh me 12 maj janë njoftuar me procedurat të cilat duhet të plotësohen, në mënyrë që të mund t’i marrin mjetët për projekte nga ky fond. “Këshilli drejtues i Fondit do të vlerësojë të gjitha iniciativat që vijnë nga komunat. Projektet mund të jenë për financimin e ndërtimit të ndërtesave, të rrugëve, mbështetja ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe për aktivitete sportive e kulturore”, ka thënë Zhbogar. Sipas tij, komunat Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kanë bërë kërkesë për një numër të projekteve infrastrukturore në vlerën prej 17 milionë euro. “Aktualisht janë duke u realizuar projektet për të cilat kemi dhënë 3.5 milionë euro”, ka konstatuar përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.
Ndonëse Zhbogar nuk ka precizuar nëse këto 3.5 milionë euro, sipas të cilit vijnë nga “baza tjetër”, janë pjesë e mjeteve prej 38.5 milionë euro, të cilat BE-ja i ka premtuar për katër komunat veriore, mësohet se ato nuk u janë nga Fondi për veriun, në të cilin rrjedhin mjete nga doganat dhe taksat e mbledhura në dy pikat kufitare, në Bërnjak dhe në Jarinje, e në të cilin, sipas përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, deri me tani janë mbledhur 6.7 milionë euro. Nga ato 38.5 milionë euro të Zyrës së BE-së në Kosovë, komunave veriore ujanë dhënë 8.5 milionë euro në vitin 2014, e që me 3.5 milionë të tjera të alokuara tani nuk arrijnë as gjysmën e mjeteve të premtuara (38.5 milionë euro) nga BE-ja për komunat veriore.
“Këto 8.5 milionë euro shënojnë të arriturën e parë në shpërndarjen e zarfit me 38.5 milionë euro, që janë alokuar nga BE-ja në mbështetje të rigjenerimit ekonomik dhe krijimit të infrastruktures dhe kushteve të favorshme për zhvillimin ekonomik në komunat veriore”, patën thënë përfaqësuesit e BE-së, duke bërë publik shpërndarjen.
Por, edhe Qeveria e Kosovës ka nxituar t’u ndajë mjete komunave veriore. 15 milionë euro i ka zotuar Qeveria e Kosovës për Mitrovicën e veriut, Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Zveçanin. Ndonëse komunat në veri dhe të gjitha institucionet që i kanë themeluar komunat marrin paga edhe nga buxheti i Serbisë, duke përfshirë punëtorët e administratës komunale, të qendrave të kulturës, të qendrave për Punë Sociale, bibliotekave ndërmarjeve publike komunale dhe institucionet tjera, këto mjete të ndara nga Qeveria e Kosovës do të shpenzohen varësisht nga nevojat që kanë ata. Vetëm për sektorin e shëndetësisë janë dhënë 1 milion euro.
Këtë e pati konfirmuar pak kohë më parë edhe Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrive e Kosovës në veri, e cila precizoi se Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 milionë euro për përkahjen e katër komunave në veri të Kosovës dhe 1 milion euro janë dedikuar për sektorin e shëndetësisë. “Komuna e
Mitrovicës së veriut, si komunë e re e ka atë kompetencë të zgjëruar ku përfshihet shkollimi i lartë dhe shëndetësia sekondare”, pati thënë Hoxhiq.
Në anën tjetër, në Fondin për zhvillimin e veriut, hise ka kërkuar edhe Mitrovica e jugut. Kryetari Agim Bahtiri, ka thënë se nga fondi në të cilin derdhen mjete nga të hyrat doganore dhe taksat në dy pika kufitare, në Jarinje dhe në Bërnjak, gjithësesi duhet të ketë hise edhe Mitrovica e veriut, madje, siç pati thënë Bahtiri, edhe Skenderaj dhe Vushtrria, pasi që janë komuna të pjesës veriore të vendit, ndonëse ndodhen në jug të Ibrit. /zëri