Në pritje të zbatimit të marrëveshjes për krizën në veriun e Kosovës

Anëtarë të Partisë Socialdemokrate vendosën në makinat e qeverisë së Kosovës letra ngjitëse me targa që duken si ato të lëshuara nga Serbia për makinat e serbëve të Kosovës në shenjë pakënaqësie me marrëveshjen e një ditë më parë të arritur në Bruksel, për shtensionimin e situatës në veriun e vendit.

Sipas marrëveshjes Kosovë – Serbi që pasoi tensionet rreth vendimit të qeverisë në Prishtinë për të vendosur masën e reciprocitetit për përdorimin e targave të makinave, të shtunën duhet të largohen barrierat e vendosura nga protestuesit serbë dhe njësitë e posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja do të sigurojnë vendkalimet kufitare për dy javë.

Të premten sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, priti të dërguarin e Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për të diskutuar siç u tha për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Zoti Stoltenberg në një postim në rrjetet sociale theksoi se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes.

Nga e hëna, sipas marrëveshjes, do të zbatohet vënia e letrave ngjitëse në targat e makinave të të dyja palëve, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare, për të cilën një grup punues do të fillojë nga puna më 21 tetor.

Marrëveshja u përshëndet nga diplomatët perëndimorë ndërsa u kritikua ashpër nga partitë opozitare në Kosovë, të cilat thanë se me këtë, qeveria e Kosovës hoqi dorë nga sovraniteti në veriun e vendit.

Marrëveshja pritet t’i jap fund situatës në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë edhe sot në ditën e dymbëdhjetë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për targat e makinave.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>