Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nuk përfilli moslejimin për të hyrë në Kosovë, prandaj njësitë speciale të policisë së Kosovës e arrestuan.
Marko Gjuriq së bashku me disa zyrtarë të lartë serbë hynë në Kosovë megjithëse qeveria e Kosovës ia ndaloi hyrjen në vend dhe e paralajmëroi se “nëse hynë në Kosovë në mënyrë ilegale, ai do të arrestohet”. “Për të hyrë sot në Kosovë nuk kanë leje asnjëri prej tyre, as Gjuriq dhe as Vulin. Kushdo qe futet ilegalisht në Kosovë do të arrestohet!” – shkroi gjatë ditës në profilin e tij, ministri i Jashtëm kosovar Behxhet Pacolli.
E në fakt kjo edhe ndodhi. Marko Gjuriq nuk i përfilli urdhërat e Prishtinës zyrtare, hyri në Kosovë nëpërmjet rrugëve ilegale për të marrë pjesë në një tubim me qytetar që zhvillohej në veri të Mitrovicës. Njësitë speciale të policisë së Kosovës ndërhynë për të shpërndarë tubimin, përdorën gaz lotsjellës dhe arrestuan shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Nën përcjelljen e forcave të shumta të njësive speciale të policisë, Marko Gjuriq u soll në Prishtinë në stacionin kryesor të policisë. Afër urës qëndrore mbi lumin Ibër në veri të Mitrovicës u mblodhën qindra qytetarë serb, ndërkohë, që në pjesën jugore, situata paraqitet e qetë. Për disa orë Marko Gjuriq u mbajt në stacionin e policisë në Prishtinë, për t’u dëbuar më pas nga Kosova nëpërmjet pikës kufitare të Merdarës, ku ju dorëzua autoriteteve të Serbisë.
Tentim për destabilizim
Zëvëndëskryeministri i qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, hyrjen në Kosovë pa leje të Marko Gjuriqit, e ka cilësuar tentim për ta destabilizuar situatën e sigurisë në Kosovë. “Marko Gjuriq ka tentuar të hyjë ilegalisht në Kosovë. Nuk do të tolerohet që të shkelen ligjet, Kushtetuta e Kosovës dhe marrëveshja e Brukselit. Këto veprime janë të rrezikshme dhe kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. Megjithatë Kosova do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të mbretërojë një situatë e qetë në të gjithë territorin e saj”, shkroi në profilin e tij zëvëndëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Arsyestimi se pse Ministria e Jashtme e Kosovës nuk i dha leje zotit Gjuriq që të hyjë në Kosovë është se “zyrtarët serbë nuk u janë përmbajtur udhëzimeve që gjatë vizitave në Kosovë të shmangin deklaratat nxitëse”, deklaroi gjatë ditës Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës.
Mediet në Serbi, shkruajnë se “presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, për në orët e mbrëmjes ka thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Serbi për ta diskutuar situatën e fundit në veri të Kosovës, pas arrestimit të Marko Gjuriciq”.
Thaçi: Policia ka vepruar në përputhje me ligjet
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në reagimin e tij, bëri thirrje për qetësi, derisa tha se “Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriqit”. “Marko Gjuriq ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë. Megjithatë, ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Presidenti Thaçi.
Thirrje për përmbajtje
Edhe Bashkimi Evropian menjëherë pas situatës së krijuar pas arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të marko Gjuriqit, bëri thirrje për përmbajtje. “Të gjitha çështjet me interes reciprok duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut në Bruksel, qëllimi i të cilit është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Maja Kocijançiq zëdhënëse e BE-së.
Qeveria e Kosovës u ndaloi hyrjen në Kosovë zyrtarëve të Serbisë, vetëm dy ditë pas takimit në Bruksel të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuciq, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, mirëpo në këtë takim nuk u fol për vizitat e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, ka kohë që ka paralajmëruar një dialog brenda Serbisë lidhur me çështjen e Kosovës dhe po zhvillon vizita në komuna të ndryshme te Serbisë. Autoritetet e Prishtinës thonë se ky dialog mund të zhvillohet në Serbi, ndërsa, në Kosovë nuk e shohin të nevojshme që autoritetet e Serbisë të dialogojnë me serbët e Kosovës nëpër komunat ku ata janë shumicë. (dw)