Agjencia Kosovare e Privatizimit, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratë me kompaninë gjermane HPC në konzorcium me kompaninë Ernst & Young për ofrim të shërbimeve profesionale për zbatim të studimit të fizibilitetit të Trepçës me orientim strategjik për zhvillim të saj.
Kontrata ka vlerën prej 598,920 euro.
“Studimi i fizibilitetit shtrihet në dy fusha, në zhvillimin e mëtutjeshëm të Trepçës duke u mbështetur në gjendjen aktuale, zhvillimet e reja të tregut, të teknologjisë dhe përvojave të reja të modeleve biznesore për eksploatim të xeheve e deri në produkt final; si dhe do të ofroj rekomandime për qasje strategjike lidhur me zbatim të aktiviteteve të reja me vlerë të shtuar”, thuhet në komunikatën e AKP-së dërguar medieve.
Kontrata thuhet në komunikatë ishte e paraparë të nënshkruhej në fillim të muajit korrik, por, lidhja e kontratës është shtyrë për shkak të një ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Ndryshe sipas një vendimi të mëhershëm të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, afati i fundit për dorëzimin e planit të organizimit të Trepçës është 1 nëntori i këtij viti. (rel)