Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca e jashtëzakonshme, ku pritet të votohet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit është Vjosa Osmani-Sadriu, e cila në këtë garë, për kundërkandidat do të ketë Nasuf Bejtën.
Pas prezantimit zyrtar të dy kandidatëve, kuvendi autorizoi Komisionin për legjislacion dhe mandate që të verifikojë nëse kandidatët për president plotësojnë kushtet për garë. Komisioni, pas një mbledhjeje, tha se të dy kandidatët plotësojnë kushtet për kandidim.
Të pranishëm në sallë janë 84 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë është edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe deputeti Bedri Hamza.
Deputetët e tjerë të AAK-së, ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Listës Serbe, po i bojkotojnë punimet e kësaj seance.
Para nisjes së seancës, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se beson se i kanë votat për ta zgjedhur presidente Osmani-Sadriun.
“Unë besoj që do të jenë 80 deputetë që do të votojnë dhe që do të kemi mundësinë që sot të kemi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin”, tha Kusari-Lila.
Sipas Kushtetutës, në garë për president duhet të jenë të paktën dy kandidatë, të cilët paraprakisht duhet të sigurojnë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.
Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Para nisjes së seancës për zgjedhjen e presidentit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett tha se mbështesin kuvendin e Kosovës që të zgjedhin presidentin e ri të vendit.
“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të kuvendit që të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës, duke marrë pjesë në votim dhe duke siguruar kuorumin”, tha Kosnett përmes një postimi në Twitter.
Ndryshe, LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. Nga komunitetet, Lista Serbe, në zgjedhje i ka fituar dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe.
Të shtunën, para nisjes së seancës, zëvendëskryeministrja e Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilija Rexhepi ka postuar një fotografi në Facebook me anëtarët e Grupit Multietnik, ku ka thënë se ky grup është gati që ta votojë Osmanin për postin e presidentit.
Ndërsa partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër. Lista Serbe nuk është deklaruar.
Ish-partia e Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të veprojnë deputetët e LDK-së, pavarësisht vendimit të kryesisë së kësaj partie që të mos bëjnë pengesa në zgjedhjen e presidentit.
Gjatë ditës së premte dhe të shtune kishte përplasje mes partisë në pushtet dhe atyre opozitare, pasi Qeveria e Kosovës procedoi në kuvend shqyrtimin e ndryshimeve të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Pak para nisjes së seancës për zgjedhjen e presidentit, deputetët e LVV-së, përmes një letre dërguar kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufcës njoftuan se e tërheqin këtë nismë nga procedurat parlamentare.
Kuvendi u mblodh të premten në mbrëmje në një seancë, mirëpo kërkesa që shqyrtimi i tij të bëhet me procedurë të përshpejtuar nuk kaloi, pasi opozita votoi kundër.
Ndryshimet e ligjit do t’i mundësonin diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i bëri thirrje kryeministrit, Albin Kurti dhe shumicës parlamentare “që të heqin dorë nga ky shantazh ndaj opozitës”.
Por, të shtunën, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një deklarate për media tha se ka marrë garancën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatës së Vetëvetëndosjes për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani se “gjithçka që ka të bëjë me Ligjin për zgjedhjet, do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”.
Kosova është përfshirë nga përplasjet politike për ndryshimin e Ligjit të zgjedhjeve dhe zgjedhjen e presidentit, në kohën kur vendi po përballet me numër të lartë të të infektuarve me koronavirusin e ri dhe dëmet që ka shkaktuar pandemia në ekonomi e fusha të tjera.
Hana Xhemajli, specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore tha se sjellja e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në kuvend të premten (2 prill), në kohën kur Kosova po përballet me një numër të lartë vdekjeve dhe të infektuarve nga COVID-19, është mjerim.
“Numri i vdekjeve është rritur dukshëm. Kjo, përveç popullatës, duhet ta shqetësojë secilin politikan. Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti është në pushtet nga 22 marsi dhe kam besuar që nga ajo kohë do të fillojë një qeverisje se si do të menaxhohet gjithë kjo rritje e numrave. A do të ketë mbyllje apo mbyllje të pjesshme”, tha Xhemajli për Radion Evropa e Lirë.