Nis takimi trepalësh, BE – Kosovë – Serbi në Bruksel

Bruksel(E plotësuar, ora 10:10) Pas takimeve të ndara që kryediplomati evropian, Josep Borell ka pasur fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pastaj me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tashmë në Bruksel ka filluar takimi trepalësh, BE-Kosovë-Serbi.

Përfundon takimi Kurti-Borell, nisë ai Borell-Vuçiq 

(E plotësuar, ora 09:20) Ka përfunduar takimi bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borell. Në takim me shefin e diplomacisë evropiane është presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Pas këtij takimi pritet të mbahet i ashtuquajturi takimi trilateral: BE-Kosovë- Serbi.

 

Bruksel: Filloi takimi Borell-Kurti dhe më pas takimi me Vuçiqin

(E plotësuar, ora 08:20) Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, po takohet sot në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Më pas, sipas njoftimit, ai do të ketë një bisedë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimet e veçanta pasohen nga një takim i përbashkët, i ashtuquajturi trepalësh ndërmjet Bashkimit Evropian (BE), Serbisë dhe Kosovës.

Vuçiq dhe Kurti duhet të takohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, raporton REL.

Krahas Borellit, palën evropiane në takim do ta përfaqësojë edhe përfaqësuesi special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

 

Borrell e Lajçak sot takim trepalësh me Kurtin e Vuçiqin në Bruksel

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Jopsep Borrell, sot në Bruksel, në takime të ndara, do të diskutojë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth çështjes së targave ilegale të automjeteve që Serbia lëshon për qytetarët e Kosovës.

Borrell në llogarinë e tij në Twitter, ka shkruar se ka ftuar të hënën një takim urgjent në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

“Ne kemi nevojë për de-përshkallëzim të situatës, që të ndalojmë së menaxhuari një krizë të përhershme dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar ai.

Kurse Zyra për Media e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Sugurisë, ka njoftuar se takimet do të mbështeten nga Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak, raporton RTKlive.

“Të hënën më 21 nëntor, në Bruksel do të mbahet një takim urgjent i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë. Takimi do të lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak”, shkruan në njoftimin zyrtar.

“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre”, thuhet në njoftim.

Kështu, bazuar në këtë njoftim, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell, do të nisë me takime të veçanta me secilin lider, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit, e më pas do të ketë edhe një takim të përbashkët.

“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi Lartë”, njofton Zyra për Media e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Sugurisë.

Ky takim mbahet në kohën kur një pjesë e serbve të Kosovës me direktiva të Beogradit zyrtar, kanë braktisur institucionet e  Kosovës, në katër komunat në veri të vendit.

Policë, gjyqtarë, prokurorë e zjarrëfikës, kanë braktisur detyrat e tyre, veprim që e kanë bërë edhe deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, e të cilët më vonë ndryshuan mendje, dhe të tjerë që ishin në listën e pritjes, dhanë betimin dhe rimorën mandatet.

Ndryshe Policia e Kosovës, dje ka bërë të ditur se edhe më datën 21 nëntor do të vazhdojë masa e qortimit të shoferëve me targa ilegale serbe, ndërkaq më 22 nëntor nis shqiptimi i gjobave. Shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh, sipas Policisë do të zgjatë deri me 21 janar 2023. Deri më 20 nëntor janë shqiptuar rreth 1.740 qortime, për shoferët e makinave me targa ilegale serbe.

“Policia deklaron se konform planifikimeve operacionale,  ka vazhduar angazhimet policore në zbatim të ligjit dhe të rendit kushtetues, si dhe zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 28 tetor2022, i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të mjeteve nga targa PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS”, njofton Policia e Kosovës.

rtk

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>