Në ditën e fundit kur pritet të skadojë marrëveshja e përkohshme për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel ka nisur takimi në nivel të kryenegociatorëve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që të arrijnë kompromis për çështjen e targave. Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje të përkohshme për targat.
Por grupet punuese nga Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së kanë afat deri më 21 prill të arrijnë një marrëveshje finale.
Ndërkohë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se është mbajtur takimi i fundit i grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë.
“Sot po zhvillohet takimi i kryenegociatorëve midis Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi një agjendë të plotë me çështjet aktuale, përfshirë targat e makinave, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të dialogut dhe përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë”, shkroi Lajçak në Twitter.
Një ditë para skadimit të afatit, Mirosllav Lajçak, ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Lajçak nga Beogradi porositi se BE-ja pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.
rtk