Policia e Kosovës tha se një pjesëtar i saj është plagosur lehtë në një sulm i armatosur në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
Në një njoftim të policisë thuhet se në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit, njësitë e policisë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtarë i policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”.
Policia tha se po kryen hetime por nuk dha më shumë hollësi.
Incidenti ndodhi disa orë pasi policia tha se ka shtuar praninë e saj në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit i cili e cilësoi këtë si “pushtim të veriut” nga Prishtina.
Në një njoftim të policisë thuhet se “përparësi e saj është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, ditëve në vijim do të shtojë praninë policore në veri”.
Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit, thuhet në njoftim.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha se “ditëve të fundit, pas sulmeve të njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor dhe qytetarëve në veri të vendit, rritja e prezencës policore me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët është vlerësuar e domosdoshme”.
Shtimi i pranisë policore në veri, ku nuk ka më policë të përkatësisë kombëtare serbe të cilët braktisën vendet e punës në fillim të muajit nëntor, nxiti reagimin e Beogradit.
Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës, përfshirë pjesëtarë të forcave të posaçme “kanë pushtuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut.
Serbia, tha ai, “do të shqyrtojë dërgimin e 1 mijë forcave të saj të sigurisë” në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, duke ju referuar dy neneve të asaj Rezolute që parashihte kthimin e një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.
Rezoluta përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës dhe që muajve të fundit kanë shtuar praninë në veriun e vendit, ku ndodhen edhe forcat e policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Autoritetet vendase e ndërkombëtare nuk e komentuan deklaratën e zyrtarit serb, ndërsa policia tha se në veriun e Mitrovicës po patrullojnë njësitë e rregullta të saj dhe jo njësitë e posaçme. Prania e saj është përqendruar në lagjet me popullsi të përzier në veriun e qytetit.
Incidentet e fundit në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut në veriun e banuar me shumicë serbe ndodhën ndërsa policia po i shoqëronte zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në procesin e hapjes së Komisioneve komunale për zgjedhjet për kryetarë të katër komunave, që janë caktuar për datën 18 dhjetor. Grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisioneve komunale të zgjedhjeve ndërsa policia njoftoi për të shtëna e shpërthime, por pa dëme në njerëz.
Situata e krijuar në zonë ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve dhe autoritetet kanë lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së tyre, gjë që është kërkuar edhe nga diplomatët perëndimorë.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se nuk është koha e duhur për mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës.
Presidentja e Kosovës tha se brenda ditësh do të sqarohet se cilat do të jenë veprimet e mëtejshme.
Zgjedhjet u shpallën pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Procesi zgjedhor po bojkotohet nga Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe.
voa