Opozita e Bashkuar denoncon skenarët e dhunshëm të pushtetit

Protesta sot2Protesta e 17 shkurtit ishte mesazhi më i fortë që mund të jepet prej një opozite paqësore. Kauzat e opozitës kanë sot mbështetjen më të madhe e më të gjerë gjithëpopullore se kurrë ndonjëherë. Keqqeverisja e koalicionit PDK-LDK-Lista Srpska,  arrin të bëjë bashkë kaq shumë protestues kundër saj.

Falënderojmë kujdestarët dhe protestuesit për sjelljen e tyre të kulturuar e civile. Por fatkeqësisht nuk ka qenë ky skenari i pushtetit.

Një ditë para protestës filluan provokimet policore ndaj opozitës. Me urdhër politik filluan arrestimet ndaj aktivistëve të opozitës, ndër ta edhe zëdhënësi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Frashër Krasniqi, si dhe kryetari i grupit parlamentar të këtij subjekti, Glauk Konjufca. Pushteti u përpoq ta linte fajin për këto arrestime tek EULEX, por EULEX u distancua dhe tha se nuk i kishte urdhëruar ato.

Po ashtu një ditë para protestës, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë ndaluar vendosjen e zërimit në sheshin “Nëna Terezë”, duke ofenduar punëtorët që po merreshin me përgatitjet logjistike. Në mbrëmjen e 16 shkurtit policia rrethoi me katër vetura policie zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Provokimet nga ana e pushtetit vazhduan edhe gjatë ditës së protestës. Mbështetës të opozitës që kishin ardhur të organizuar me autobus nga Shqipëria, u ndaluan në kufi. Njërit prej tyre iu ndalua arbitrarisht hyrja në Kosovë përgjithmonë, dhe një tjetër u arrestua pa asnjë shpjegim dhe ende mbahet në stacionin policor Prizren.

Në Prishtinë policia lëshonte deklarata për kinse arrestim të protestuesve me pajisje të rrezikshme apo me benzinë. Por, nuk u publikua asnjë emër i të arrestuarve. Pas protestës u mor vesh se të gjitha këto ishin inskenime.

Në Prishtinë u stacionuan forca të mëdha policore, me armatim të rëndë, autoblinda, topa uji e mjete të tjera. Në kulmet e ndërtesave që rrethonin sheshin u pozicionuan snajperë me maska, të cilët mbanin nën shënjestër protestuesit dhe qytetarët paqësorë.

Gjatë protestës, në mes të tubimit masiv, policët hynë disa herë të armatosur, pa patur asnjë nevojë. Të armatosur e të maskuar, ata e ndalën edhe një kamion të vogël që mbante zërimin e protestës. Ata u përpoqën të provokonin masën me ndërhyrjen e tyre tek hoteli Swiss Diamond, por nuk patën sukses.

Një person gjuajti me shishe ndaj policisë. Kujdestarët e identifikuan dhe e fotografuan atë person, i cili me vete mbante një revole të tipit Glock me të cilat është e pajisur policia. Ne e kemi fotografinë e tij dhe besojmë se ai është njeri i strukturave të sigurisë së pushtetit, i infiltruar në masë që të provokojë dhunë.

Deklaratat e Isa Mustafës dhe të Hashim Thaçit, janë në sinkron të plotë me këto veprime dhe me këtë skenar të dhunshëm. Ata po e humbin kontrollin, sepse po e humbin mbështetjen nga ndërkombëtarët. Mustafa e Thaçi shpresuan se do të kishte dhunë, dhe prandaj u përpoqën ta nxisin atë. Ata deri më sot e kanë mbajtur pushtetin me dhunë, duke ia hedhur fajin opozitës. Protesta e 17 shkurtit i demaskoi të gjitha veprimet e tyre.

Qytetarët e Kosovës, opinioni publik, shoqëria civile, dhe Bashkësia Ndërkombëtare e trupi diplomatik duhet të dënojnë inskenimet qeveritare që synojnë konfliktin e dhunën. Opozita dhe protestuesit dëshmuan paqe, ndërsa qeveria ka dashur dhunë dhe ka bërë skenar të detajuar për ta provokuar dhunën.

Pushteti mund të provokojë dhunë edhe në ditët në vijim, me thirrjen e seancave të parlamentit, pa dhënë një përgjigje për kërkesat e opozitës.

Prandaj ne u bëjmë thirrje pushtetarëve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, që kanë fuqi mbi ta, t’i zmbrapsin ata nga provokimet e reja të situatës dhe të reflektojnë momentin e krijuar.

 

18 shkurt 2016

Opozita e bashkuar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>