Subjektet opozitare në Kosovë mund të përfshihen në procesin e bisedimeve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që po zhvillohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, “vetëm nëse ndërrohet formati i bisedimeve”.
Kështu thonë disa zyrtarë të partive opozitare në përgjigje të deklaratave të shefes se Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,Nataliya Apostolova, e cila, në një takim me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ka shtruar nevojën e përfshirjes së opozitës në këtë proces.
Kosova dhe Serbia kanë filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me lehtësim të Bashkimit Evropian që prej vitit 2011 dhe në të paktën dy vitet e fundit asnjë përfaqësues i opozitës nuk është përfshirë në ekipin negociator të Kosovës.
Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Zgjim Hyseni, për Radion Evropa e Lirë,ka thënë se në këtë periudhë partia e tij “nuk merr pjesë për të legjitimuar marrëveshjet e dëmshme të arritura në këtë proces”.
Ai ka thënë se “Vetëvendosje” nuk është kundër dialogut në parim, por kundër dialogut pa parime.
“Dialogu që po zhvillohet aktualisht është dialog pa parime, që nuk i dihet as fillimi, as fundi dhe as çështjet që do të diskutohen, e aq më pak për ato që nuk jemi në gjendje të flasim.”
“Ajo që kemi nevojë, para se të përfshihet kushdo, është që t’i bëhet një riformatim dialogut, i cili në radhë të parë e ndryshon orientimin dhe platformën e dialogut, duke i ndarë dhe përcaktuar se cilat janë interesat tona në këtë dialog”, tha Hyseni.
Edhe anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,Muharrem Nitaj, për Radion Evropa e Lirë ka kujtuar se ky subjekt politik ka qenë pjesë e bisedimeve, por është tërhequr në kohën kur, siç thotë ai, bisedimet e kanë humbur kuptimin dhe janë krejtësisht formale.
Nitaj më tutje ka shtuar se për tema të rëndësishme nacionale, qëndrimi i Aleancës është se duhet qenë pjesë e tyre, por jo në këtë format.
“Po, ajo çka është e rëndësishme, është se ky format i bisedimeve duhet të ndërpritet menjëherë. Duhet të krijohet një platformë tjetër e bisedimeve me Serbinë, që zhvillohet mbi bazën e reciprocitetit dhe aktualisht nuk po ndodh një gjë e tillë. Dhe përqëllim final të ketë njohjen e ndërsjellët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”
“Në një situatë të tillë mund të jemi edhe pjesë e këtyre bisedimeve, por jo në këtë format si po zhvillohen, pasi ato e kanë humbur kuptimin dhe për më tepër nuk kanë një impakt të përmirësimit të raporteve në terren ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Nitaj.
Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë se Kosovës pohojnë se vazhdimisht kanë qenë të interesuar që në bisedimet që po zhvillohen kohë pas kohe, në mes Prishtinës dhe Beogradit, të përfshihet i gjithë spektri politik i Kosovës.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës,Valon Murtezaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka bërë thirrje opozitës që të jenë pjesë e procesit, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë përgjigjeje pozitive.
“Për çështje të interesit nacional një përfshirje sa më e gjerë e gjithë spektrit politik të Kosovës është e nevojshme dhe e domosdoshme. Kjo do t’i kontribuonte rritjes se diversitetit të pikëpamjeve dhe ekspertizës në të njëjtën kohë.”
“Dhe gjithashtu, të plotësonte një nga kriteret më të rëndësishme të çfarëdo lloji procesi të dialogut, e që është transparenca”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Valon Murtezaj.
Analistë për çështje politike, ndërkaq, pohojnë se partitë opozitare që nga fillimi i procesit është dashur jenë pjesë këtyre bisedimeve.
Imer Mushkolaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se pjesëmarrja e tyre në këto bisedime, do të ishte e domosdoshme, në këtë periudhë, kur dialogu, sipas tij, ka hasur në vështirësi.
Mushkolaj, ndërkaq, shprehet se prania e tyre në bisedime do të evitonte edhe kundërshtimet e opozitës për këtë proces.
“Tash bisedimet kanë hyrë në një qorr- sokak edhe është e nevojshme përfshirja e opozitës. Dhe konsideroj se opozita duhet të përfshihet, por, si kusht themelor do të duhej të ishte ndërrimi i formatit të bisedimeve. Pasi po shihet se formati i deritashëm nuk është i treguar i suksesshëm dhe natyrisht se po ka probleme në zbatimin e marrëveshjes, në zvarritjen që kryesisht që po ndodh nga ana e Beogradit“, thotë Mushkolaj.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimin e komunitetit serb në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës. Ndërkaq, zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve nga ky dialog, Kosovës dhe Serbisë, u është vënë si kusht në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane. (REL)