Përfaqësues të partive politike opozitare në Kosovë, konsiderojnë se Qeveria e Kosovës, ka disa mundësi për të dalur nga kriza politike në të cilën ndodhet.
Ata thonë se janë tri alternativa për të dalur nga kjo situatë.
E para mundësi sipas tyre, është tërheqja e marrëveshjeve [ajo për Asociacionim e Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi], e dyta organizimi i një referendumi për këto çështje dhe e treta mbajtja e zgjedhjeve.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje,Glauk Konjufca, deri sa ka mbajtur një konferencë për media bashkë me zyrtarët e tjerë të partive opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, tha se më marrëveshjen për Asociacionin dhe Demarkacionin, Qeveria e Kosovës ka bërë cenim dhe shkelje të patolerueshme të shtetësisë së Republikës së Kosovës.
“Po e zvogëlojnë territorin e Kosovës dhe po copëtojnë brenda përmes “Zajednicës”, atëherë nevojitet një verifikim i këtyre njerëzve nga ana e popullit. Le të dalin edhe një herë në popull me parullën ne do ta formojmë “Zajednicën”, dhe le ta shohim se sa po i përkrahin qytetarët e Kosovës. Unë për vete nuk kam mendim që do ta merrnin votën e qytetarëve në këtë mënyrë. Pra, këta janë ata tre skenarët”, tha Konjufca.
Pa tërheqjen e marrëveshje, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë zotuar se nuk do të ndalen qoftë përmes bllokimit të institucioneve apo edhe protestave në rrugë.
Për këtë qëllim, këto tri subjekte kanë thirrur një manifestim anti-qeveritar më datën 28 nëntor, datë që shënon edhe Ditën e Flamurit të Shqipërisë, festë kjo që e feston edhe Kosova.
Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në selinë kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje aty ku u mbajt konferenca, tha se veprimet të cilat po ndërmerr opozita nuk janë edhe shumë populiste, por siç u shpreh ai, ‘janë në të mirën e vendit’.
“Është e domosdoshme dhe ne jemi të qëndrueshëm bashkë me qytetarët që nesër t’i tregojmë edhe qeverisë edhe faktorëve të tjerë relevant që kanë menduar ndryshe që për ketë vend vendosin qytetarët dhe jo individi apo një komision apo dikush tjetër, por për ketë tokë të vendosin qytetarët”, tha Lakaj.
Kurse, Bilall Sherifi, përfaqësues nga partia Nisma për Kosovën, theksoi se me anë të manifestimit të së shtunës, do të provohet të mbrohet Kosova nga marrëveshjet e dëmshme që Qeveria e Kosovës i ka bërë me Serbinë dhe Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
“Presioni i madh nga Qeveria se ju nuk guxoni të thërrisni qytetarët, se ju nuk keni mbështetjen e qytetarëve, se ju po manipuloni me qytetarët, na shtyri që edhe ketë mjet në fund ta konsiderojmë dhe ta thërrasim jo protestë klasike, jo para ndërtesës së Qeverisë, por e kemi quajtur manifestim”, tha Sherifi.
Përfaqësuesit e partive politike opozitare, kanë ftuar organet e rendit që të bashkëpunojnë me mbikqyrësit e protestës nga opozita, në mënyrë që manifestimi të zhvillohet i qetë dhe pa incidente.
Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, në “pajtim me vlerësimet e realizuara ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të garantuar rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët, edhe për 28 nëntor”.
Që nga 25 gushti, kur në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Prishtina dhe Beogradi nënshkruan marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe më pas edhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin, opozita jo vetëm që ka bojkotuar, por edhe ka bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.
Protesta ndaj këtyre marrëveshjeve kishte jo vetëm në rrugë, por edhe në Kuvend.
Për shkak të këtyre veprimeve dhe përfshirjes së deputetëve në aktivitete, që janë cilësuar të ndaluara, siç ishte përdorimi i gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit, aktualisht në paraburgim po mbahet deputetja e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, kurse policia mbetet në kërkim të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli. (rel)