Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “drafti gjerman” për Asociacionin i prezantuar të enjten në mediet e Kosovës është lajm i rremë dhe se ai nuk ekziston e as nuk do të ekzistojë. Ajo ka thënë se do të nënshkruajë vetëm marrëveshje që janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Është ‘fake news’, nuk është e vërtet që ekziston një draft gjerman që i është dorëzuar Republikës së Kosovës e as nuk do të ketë. Ata nuk thonë vetëm themelojeni Asociacionin, por edhe e përmendin se asnjë veprim i tillë nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Sekretari amerikan Blinken rikonfirmoi se nga Kosova nuk do të kërkohet asgjë që do të bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Nuk ka dokument që kemi diskutuar edhe në takimet me z.Escobar. Unë u kam thënë që duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Osmani në një konferencë për medie, raporton RTKlive.
Ajo ka kërkuar nga qytetarët të rrinë të qetë. “Deri tani ajo çka mund t’ju garantoj është që qëllimi i aleatëve tanë është që ky proces të përfundojë sa më parë dhe, po ashtu, asnjëherë askush nga partnerët nuk ka kërkuar nga Kosova që të hiqet dorë nga njohja reciproke. Prandaj dua t’u drejtohem qytetarëve të Kosovës të rrinë të qetë, sepse në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që të preket sovraniteti, nuk do të lejojmë të preket integriteti territorial i vendit tonë e, aq më pak, funksionaliteti i brendshëm i Kosovës. Në krye të Republikës janë njerëzit që kanë parandaluar marrëveshjet e dëmshme, jo të tjerët, kështu që rrini të qetë”, është shprehur Osmani.
Presidentja Osmani tha se iniciativa franko-gjermane, e cila, sipas saj, ka për qëllim intensifikimin e dialogut.
Osmani: Mbi 90 % e serbëve të Kosovës kanë targa RKS
Kurse për çështjen e targave, Vjosa Osmani, tha se mbi 90 % e qytetarëve serbë të Kosovës i kanë targat RKS, ndërsa, sipas saj, ata që janë të interesuar për t’i konvertuar targat po kërcënohen nga bandat kriminale të dirigjuara nga Serbia. “Unë i bëj thirrje që për këto ditë që kanë mbetur, të gjithë serbët që jetojnë në Kosovës ta respektojnë ligjin dhe të mos bien pre e provokimeve. Kjo është çështje e sundimit të ligjit”, tha ajo.
Osmani ka folur edhe për problemet që po i shkakton Serbia shqiptarëve në Luginë e Preshevës, rreth regjistrimit të popullsisë. Ajo ka ftuar qytetarët shqiptarë që të regjistrohen në Luginë të Preshevës. Osmani ka paralajmëruar se javën tjetër do të takojë liderët shqiptarë të Preshevës.
Osmani: Vendimi për vizat të merret gjatë presidencës çeke
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur edhe për çështjen e vizave. “Çdo ditë jemi duke u marrë me këtë temë, me shpresën që në takimet e ardhshme të Këshillit të BE-së në nëntor dhe dhjetor të merret vendimi. Është e domosdoshme që vendimarrja të përfundojë gjatë presidencën çeke. Shpresoj që vendimi të merret deri në dhjetor dhe pastaj të hyjë në fuqi duke u bazuar në praktikat e vendeve të tjera”, theksoi Osmani.
Sipas saj nuk është në rregull nëse liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me sistemin e ri të kontrolleve të BE-së, ETIAS, që parashikohet të hyjë fuqi në vitin e ardhshëm.
rtk