Tiranë: Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit

parlamenti shqiptarLigji i miratuar në Parlamentin e Shqipërisë parashikon hapjen e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe deklasifikimin e të gjithë dokumentave nga 29 Nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991.

 

Parlamenti i Shqipërisë miratoi disa ndryshime në ligjin “Për të drejtën  e informimit për dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit”, policisë sekrete famëkeqe gjatë regjimit komunist. Ndryshimet morën votën pro të 94 deputetëve të pranishëm, asnjë votë kundër dhe vetëm një abstenim.

Ligji i sapondryshuar parashikon hapjen e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit dhe deklasifikimin e të gjithë dokumentave nga 29 Nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991. Ai parashikon gjithashtu riverifikimin e figurës edhe të atyre personave për të cilët dalin informacione të reja edhe kur ata kanë kaluar në sitën e komisioneve të mëparshme parlamentare, me synimin për largimin nga politika dhe postet publike të spiunëve të ish-Sigurimit.

 

Shumica socialiste bashko votat me grupin parlamentar të Alibeajt, PD

Miratimi i ndryshimeve të mësipërme u mundësua nga bashkimi i votave pro të maxhorancës socialiste me ato të deputetëve të grupit parlamentar opozitar të Partisë Demokratike, të kryesuar nga Enkelejd Alibeaj. Ligji ”Për të drejtën e informimit për dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit,” i miratuar në vitin 2015, kur kryetar i Parlamentit ishte ish-Presidenti Ilir Meta, parashikonte detyrimin e Autoritetit për Informim mbi dokumentat e ish Sigurimit të shtetit 1944 – 1991, për t’iu përgjigjur ”çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Parlamentin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ata të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale”.

 

Ndyshimet e sapomiratuara të këtij ligji u nxitën nga një shkresë që Autoriteti i Dosjeve i dërgoi Parlamentit në korrik të këtij viti, ku bënte me dije se emri i ish-presidentit, Ilir Meta “figuronte në dokumentat e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Ish-Presidenti Meta, aktualisht kryetar i forcës politike opozitare,”Partia e Lirisë”, ish- “Lëvizja Socialiste për Integrim” ka mohuar kategorikisht të ketë qënë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe ka akuzuar Autoritetin e Dosjeve për manipulim të dosjes së tij. Ai ka marrë ꞔertifikata të pastërtisë së figurs së tij nga strukturat përkatëse kur mori postin e Kryetarit të Parlamentit, 2013-2017 dhe atë të Presidentit të Republikës, 2017-2022.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>