Osmani: Punoj vetëm në interes të qytetarëve të Kosovës

 Berlin | DW-Interview | Präsidentin Vjosa Osmani Në një intervistë me DW, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, flet për pandeminë, marrëdhëniet me Shqipërinë, SHBA dhe Bashkimin Evropian dhe pritshmëritë e saj nga Gjermania.

Deutsche Welle: Zonja Presidente, situata me virusin korona në Kosovë në javët e fundit është bërë alarmante. Përse shkoi aq, sa thuajse doli jashtë kontrollit? 

Vjosa Osmani: Ishte një situatë e ngjashme edhe me disa vende të tjera, ku ta zëmë, në dy javët e para të gushtit kishim diku dy-tri raste infeksioni në ditë, kurse në dy javët e fundit të gushtit, numri u rrit nga dy tri infeksione në mbi 2000 infeksione në ditë. Kjo tregon rrezikun e madh që paraqet varianti “Delta”, i cili është shumëfish më infektues e më përhapës, sesa versioni i mëhershëm i korona virusit dhe po ashtu është gati trefish më i rrezikshëm sa i përket numrit të hospitalizimeve që i shkakton e që për fat të keq në Kosovë rezultoi edhe me humbjen e një numri të madh të qytetarëve tanë nga ky virus. Tani janë ndërmarrë masa, të cilat, ndër të tjera, përfshijnë mbylljen e vendeve të ndryshme, që kryesisht kanë qenë ndër arsyet themelore, pse është rritur kaq shumë ky numër i infeksioneve, së bashku me faktin që Delta është më shumë infektues…

A nuk ka të bëjë edhe me ardhjen e kosovarëve nga diaspora dhe me menaxhimin shumë liberal të turizmit?

Menjëherë pas dy javëve të gushtit, të cilat ishin vërtet alarmante dhe shumë të dhimbshme për qytetarët e Kosovës janë ndërmarrë masa, në mënyrë që të kemi mbyllje në një sërë sektorësh. Po e shohim që kjo po ndihmon në praktikë, sepse, edhe pse situata vazhdon të jetë e rëndë, sidomos sa i përket hospitalizimeve edhe numrit të vdekjeve, – sa i përket infeksioneve numri po bie deri diku, – dhe sa po mundemi me përcjellë, është pesë për qind të totalit të testeve që dalin pozitive. Përkundër kësaj, ne duhet të vazhdojmë që stafi mjekësor të mbështetet maksimalisht, sepse barrën më të madhe e kanë ata, dhe përderisa spitalet përballen me një situatë kaq të rëndë, është vështirë të shohim ditë të mira. Ju e dini që kemi trashëguar një sistem shëndetësor që ka qenë afër kolapsit, edhe fare pa pandeminë. Nuk është investuar fare për vite të tëra në këtë sistem dhe kjo ka krijuar një situatë shumëfish më të rëndë, sesa atë me të cilën janë ballafaquar shtete të tjera me një sistem shëndetësor më të konsoliduar dhe më të përgatitur për t’u përballur me situata të tilla.

Në tetor Kosova organizon zgjedhjet lokale dhe, me argumentin e situatës alarmante të Kosovës, ju u përpoqët t’i shtynit zgjedhjet lokale. Kjo është komentuar sikur ju me partinë tuaj dhe Albin Kurti me Vetëvendosjen frikësoheni nga humbja për shkak të mosmenaxhimit të krizës së koronës. Cili është komenti juaj?

Këto janë akuza absurde nga ata që nuk mund të gjejnë argumente për t’i bindur qytetarët për t’i përkrahur e tentojnë që këtë ta bëjnë nëpërmjet propagandës së ulët dhe të ndytë. Në radhë të parë unë nuk kam parti, jam Presidente e Republikës së Kosovës dhe shikoj vetëm një interes e ai është interesi i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë e di që këta njerëz janë mësuar me presidentë, të cilët u kanë shërbyer interesave të ngushta e klandestine e shpeshherë edhe të lidhura me rrjete të ndryshme. Unë nuk jam e tillë dhe ata e dinë këtë shumë mirë, prandaj edhe nuk po munden të pajtohen me faktin se e kanë një presidente, e cila është komplet e lirë nga ndikimet e jashtme dhe e cila merr vendime në mërye komplet autonome e vetëm e vetëm në interes të qytetarëve të Kosovës. Por ky është një realitet, me të cilin duhet të mësohen, sepse është në interes të vendit tonë, që të shikohet pikërisht ajo që është më e mira për qytetarët. Dhe këtë e kam bërë, kur i kam ftuar partitë për diskutim dhe kam synuar që të arrihet konsensus ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Por propozimi i parë për shtyrje të zgjedhjeve ka ardhur nga Federata e Mjekëve. Pra, kanë qenë mjekët ata që kanë propozuar dhe pastaj dokumenti i dytë ka ardhur nga Instituti i Kosovës për Shërbim Publik, Instituti që ka barrën kryesore për të menaxhuar pandeminë, të cilët kanë kërkuar një gjë të tillë. Natyrisht, unë nuk e kam imponuar. Sikur t’i merrja precedentët paraprake të krijuara, unë do t’i shtyja zgjedhjet pa e pyetur askënd. Por ky nuk është shembulli që unë kam sjellë në presidencë. Është pikërisht e kundërta, një shembull i cili nënkupton diskutime me partitë politike, konsensus me partitë politike dhe dëgjimin edhe të zërit të opozitës, pavarësisht nga numrat e vegjël që ata përfaqësojnë sot në kuvend. Prandaj, kjo është një propagandë e ulët, e cila është demaskuar, më datën 13 shtator, kur e bëra të qartë para qytetarëve të Kosovës, sidomos para të gjithëve që, në fakt, unë kurrë nuk kam kërkuar që ta marr vetë këtë vendim, por që ky të jetë një vendim i përbashkët i të gjitha partive të vogla e të mëdha në Kosovë. Në mënyrë që të shikohet interesi, qytetar dhe t’u japim mjekëve tanë së paku një shans, pesë-gjashtë javë deri në dy muaj, që ata ta ulin kurbën e infektimeve dhe pastaj të mund të menaxhojnë spitalet e stërmbushura pak më lehtë. Kjo ka qenë arsyeja.

Në javët e fundit janë ftohur marrëdhëniet mes Shqipërisë edhe Kosovës. Një nga shkaqet është Open Balkans. Si e komentoni këtë dhe çfarë ndërmerrni ju për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale me vendin fqinj shumë të rëndësishëm për Kosovën, Shqipërinë.

Nuk do të thoja që kjo ka të bëjë me javët e fundit. Është diçka që po ndodh për vite me radhë, megjithatë, ne si institucione të reja të Kosovë nuk kemi dhënë asnjë arsye të vetme që do të nxiste Shqipërinë të ftohte marrëdhëniet me Kosovën apo të mos përkrahte Kosovën. Ne çfarë kemi bërë, është mbrojtja e interesave të vendit tonë sovran. Dhe pikërisht kjo ndodh, kur ne refuzojmë iniciativën Open Balkans, e njohur si iniciativa e Novi Sadit, për shkak se aty nuk mund t’i shtyjmë përpara interesat e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur, përderisa Serbia vazhdon të mohojë ekzistencën tonë si shtet. Iniciativa të tjera rajonale, të cilat na shtyjnë pozitivisht drejt Bashkimit Evropian, ekzistojnë. Ai është Procesi i Berlinit dhe ne atë e shohim si atë kulmin e përbashkët ku rajoni ynë ulet dhe mund të arrijë sukses.

Këtë të javë, Gjykata speciale për krime lufte fnisi procesin e parë ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së. Presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët nga rangu i lartë në Komandën e UÇK-së përballen gjithashtu me akuzua si të përfshirë në krime lufte. Çfarë prisni ju nga Gjykata Speciale, në aspektin jo vetëm juridik, të drejtësisë, por edhe në aspektin e pajtimit të brendshëm të shoqërisë dhe të paqes në rajon.

Mendoj që është e domosdoshme që të ketë procese të pavarura, të paanshme dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet e Kosovës. Sepse është pikërisht Kushtetuta jonë dhe këto ligje, që e kanë themeluar këtë gjykatë apo Dhomat e Spezializuara, siç njihen dhe janë themeluar, me përkrahjen e madhe të Parlamentit të Kosovës në atë kohë, me më shumë se dy të tretat. Dhe ky ka qenë një akt ku Kosova ka dëshmuar se, jo vetëm që nuk i frikësohet drejtësisë ndërkombëtare, por bashkëpunon me drejtësinë ndërkombëtare, sepse e vërteta e Kosovës ka ndodhur para syve të të gjithë botës. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe nuk lejojmë asesi që këto tendenca për rishkrimin e historisë të shkojnë përpara, sepse asesi nuk mund të pranojmë që të krijohet një barazi morale mes asaj çfarë ka bërë regjimi i Milosheviçit, si sistem i sponsorizuar nga shteti, i cili ka kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, dhe çfarë mund të ketë ndodhur me disa individë pas luftës. Ato asnjëherë nuk kanë qenë veprime institucionale apo të përkrahura nga populli i Kosovës. Në secilin rast, Kosova ka dhënë përkrahjen e saj për këto institucione, gjithnjë duke besuar që drejtësia ndërkombëtare edhe njëherë do ta nxjerrë Kosovën faqebardhë.

Presidente Osmani, pas Gjermanisë ju do të udhëtoni për SHBA. Ish-presidenti i Kosovës dhe qeveria e tij mbështeteshin më shumë nga SHBA-ja se sa nga Europa. Tash, marrëdhëniet me administratën e re amerikane duken mjaft interesante, pak më ndryshe. Ndoshta pak edhe më të ftohta. Ku e sheh veten Kosova në pozicionin politik, ndërmjet SHBA-së dhe BE-së?

Unë, në fakt, nuk e di se nga është krijuar përshtypja që marrëdhëniet tani me SHBA-në janë më të ftohta. Është pikërisht e kundërta. Kosova, është në një pikë të raporteve të shkëlqyeshme dhe të avancuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo rikonfirmohet çdo ditë nga kontaktet që i kemi me zyrtarët më të lartë amerikanë. Para disa ditësh unë kisha një telefonatë me zëvendës-presidenten amerikane, zonjën Kamala Harris. Kryeministri Kurti kishte telefonatë me sekretarin e shtetit, zotin Blinken. Ne, që nga zgjedhja jonë, kemi pasur vazhdimisht edhe shkëmbim letrash me presidentin Biden, edhe kontakte gati ditore me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, të National Security Council edhe të tjerë. Kjo dëshmon, jo vetëm vlerësimin e lartë që e kanë ata, që Kosova po luan rol të rëndësishëm, jo vetëm në raportet bilaterale, por edhe për problemet globale, siç ishte gatishmëria jonë, si shteti i parë, për të marrë refugjatë afganë, si aleatë të Shteteve të Bashkuara, por edhe me rolin që po e luajmë në rajon dhe gjetiu. Ne nuk kemi asnjë çështje, për të cilën nuk pajtohemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të cilën nuk e kemi përkrahjen e plotë të tyre. Unë do të udhëtoj tani për Shtetet e Bashkuara për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që nuk është vizitë bilaterale, por ka të bëjë me takime me liderë të shteteve të tjera, ku do të diskutojmë raportet me Kosovën, por në nëntor do të udhëtoj prapë në Amerikë dhe shpresoj shumë që edhe do të kemi vizita të rëndësishme nga vetë Shtetet e Bashkuara në Kosovë. Por duke qenë njeri përbrenda takimeve të nivelit më të lartë nga zyra ovale prej vitit 2006 e tutje e deri tek takimet e tjera ku kam qenë prezente në kapacitetet e mia të ndryshme, unë mund të them që tani kemi raporte jashtëzakonisht të mira, dhe absolutisht asnjë dyshim të vetëm, asnjë qytetar i Kosovës nuk ka nevojë ta ketë, se ka ftohje të marrëdhënieve se kjo thjesht nuk është e vërtetë.

Përse Kosova akoma nuk i është përgjigjur planit për Gazsjellësin Ballkanik. Pse ka një refuzim nga ana e Kosovës për këtë iniciativë, e cila është përkrahur edhe nga Amerika?

Vjosa Osmani: Jo nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht, ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo asnjëherë deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e qeverisë së Kosovës. Megjithatë ka kohë për përgjigje. Sepse afatet kohore për përgjigje janë të qarta nga ana e MCC në këtë rast. Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit. Pra, ata duhet të merren me çështjen e ndërtimit të pipeline-it me çështjen e çmimit, me çështjen e shumave të ndryshme, se sa saktësisht do të blihet, kur pritet të vijë, cilat do të jenë loans që do t’i marrë, etj. Mirëpo në aspektin politik, unë mendoj që ky është një vendim gjeostrategjik tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe gjithnjë duhet ta kuptojmë që energjia nuk është vetëm energji, është po ashtu çështje gjeostrategjike. Prandaj, mendoj se për Kosovën nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-në. Ky është mendimi im si Presidente e Republikës. Por pastaj unë e kuptoj që ministritë e niveleve më të ulëta mund të kenë edhe shumë pyetje të tjera rreth implementimit dhe çështje të tjera. Si person që vërtet lufton që Kosova t’i arrijë këto qëllime të veta për energji të gjelbër natyrisht që unë e kuptoj që gazi nuk është 100 për qind i pastër. Mirëpo në krahasim me qymyrin, që përdoret sot në Kosovë, është shumëfish më i pastër dhe po ashtu është fazë tranzicionale.

Pra, ju e përkrahni projektin?

Unë mendoj që në aspektin gjeostrategjik ky është vendimi që duhet të marrë Kosova. Por nuk pretendoj të jem eksperte e çështjeve të energjisë, prandaj po e pres vlerësimin nga ana e ministrive përkatëse rreth çështjeve të tjera të implementimit, sepse nganjëherë nuk mjafton vetëm vendimi politik, duhet patjetër ta dimë edhe se si implementohet ai vendim dhe të kërkojmë përkrahje edhe më të lartë, dhe financiare nga ana e partnerëve tanë, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë që implementime të tilla të jenë të suksesshme. Por, nga aspekti gjeostrategjik, Kosova s’ka pse të shikoj tjetërkund. Shikimin duhet ta mbaj nga Shtetet e Bashkuara.

Si është pozicioni juaj. A duhet përfshirë SHBA-ja më shumë dhe drejtpërdrejt në dialogun Kosovë-Serbi?

Kosova ka fatin që ka pasur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara historikisht, por në veçanti në procesin e Dialogut. Tani mund të them që ka një interesim të madh në këtë proces nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara. Formati, se si ata përfaqësohen aty, është çështje që duhet ta vendosin ata. Mirëpo interesimi është jashtëzakonisht i lartë, dhe ne jemi vazhdimisht në kontakt për të koordinuar edhe me ta…

Edhe me BE-në?

Natyrisht, edhe me BE-në, sepse BE-në po e marr si të mirëqenë duke qenë se ata janë aty në udhëheqje të procesit. Por, sa do të jenë fizikisht prezentë Shtetet e Bashkuara, do të jetë vendimi i tyre, për ne është me rëndësi që çdo veprim, çdo hap tonin ta koordinojmë edhe me shtete të caktuara të BE-së, sepse nuk do të thoja me të gjitha, sepse ka shtete, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por me shtete të caktuara, si Gjermania, në veçanti, dhe pastaj me Shtetet e Bashkuara është me rëndësi, që ne t’i koordinojmë hapat. Se kështu është i garantuar suksesi, si në dialog, ashtu edhe në procese të tjera.

Zonja presidente, Gjermania pas disa ditësh do të ketë zgjedhjet federale. Çfarë prisni ju nga qeveria e re në lidhje me Kosovën dhe në lidhje edhe me Ballkanin Perëndimor?

Presim në radhë të parë që përkrahja të vazhdojë. Gjermania është partneri kryesor tregtar i Kosovës, nga radhët e Bashkimit Evropian dhe në këtë vit ka 95 për qind rritje të shkëmbimit tregtar me Gjermaninë. Dhe për këtë kontribuon në masë të madhe edhe mërgata jonë, e jashtëzakonshme dhe e suksesshme në Gjermani. Presim që me qeverinë e re ta intensifikojmë këtë bashkëpunim ekonomik e tregtar sepse është në interes të të dyja vendeve. Nuk ka destinacion më ideal, sesa Kosova për investimet gjermane, duke pasur parasysh legjislacionin e jashtëzakonshëm, reformat që po bëhen në fushën e sundimit të ligjit, sigurinë dhe përkrahjen e investimeve që sigurojnë institucionet e reja. Faktin që kemi popullatën më të re në Evropë, numrin më të madh të gjermanofolësve, dhe të gjitha këto, bashkuar me faktin, që kemi një fuqi punëtore shumë të lirë, por shumë të shkolluar, e të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë informative, kjo e bën Kosovën vërtet vendin ideal për një shtet si Gjermania, për të rritur dhe zgjeruar investimet e veta. Kjo është e para.

E dyta, natyrisht presim përkrahje në fuqizimin e subjektivitetit tonë kombëtar, sepse suksesi i Kosovës në këtë drejtim është edhe sukses i Gjermanisë, sepse shteti ynë është rezultat i bashkëpunimit me shtetet si Gjermania e Amerika, dhe në këtë drejtim presim përkrahje për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

E treta, shpresoj që Gjermania do të jetë e zëshme për ta thënë të vërtetën rreth Serbisë. E vërteta rreth Serbisë është që ai shtet po e destabilizon rajonin dhe Bashkimi Europian nuk do të duhej të pranonte të hapte asnjë kapitull të ri, në qoftë se Serbia nuk e njeh Kosovën, sepse njohja është parakusht për paqe dhe stabilitetin në rajonin tonë.

Dhe e fundit: Pres që Gjermania të luajë rol lideri në Bashkimin Evropian për të shtyrë përpara vendet tona drejt anëtarësimit në BE. Por gjithnjë bazuar në kriteret që i plotësojmë. Sepse një vend autokratik ta zëmë si Serbia nuk e ka vendin në BE. Ata duhet të ndryshojnë shumë, nga pranimi i krimeve dhe drejtësia, e deri te reformat e tyre të brendshme në sundimin e ligjit, liria e mediave dhe e shoqërisë civile e të tjera, në mënyrë që të pranoheshin atje. Pra, nuk duhet të jetë një logjikë, ku t’i fusim të gjithë, pavarësisht, se a kanë plotësuar kritere a jo. Natyrisht, që është me rëndësi që të futemi në të njëjtën kohë, e pse jo , e jo të lejohet Serbia të hyjë, e pastaj të bllokojë shtetet e tjera megjithatë, gjithnjë duke u bazuar në plotësimin e kritereve, sidomos ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe me demokracinë.

Shumë kërkesa, të shohim se çfarë do të na sjellë vota e popullit në fund të këtij muaji në Gjermani. Shumë falemnderit, zonja Presidente.

Faleminderit juve! Ishte kënaqësi.

 

Intervistën e zhvilloi Adelheid Feilcke, drejtuese e departamentit të Europës në Deutsche Welle 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>