Kosova ka blerë dronë ushtarakë Bayraktar TB-2 nga Turqia, por për përdorimin e tyre nevojitet leja e forcave paqeruajtëse të NATO-s, të cilat veprojnë në Kosovë nën mandatin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Vetëm një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur plot krenari se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, deklaroi se për përdorimin e tyre duhet marrë leja nga komandanti i KFOR-it, sepse hapësira ajrore e Kosovës është nën autoritetin e plotë të misionit paqeruajtës të NATO-s që nga viti 1999.
Kurti: Kosova më e sigurt dhe gjithnjë krenare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në facebook: “Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar me mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare!”.
Ai shpërndau edhe fotografi së bashku me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant, Bashkim Jasharin, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe oficerë që kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.
KFOR-i ka autoritetin kryesor mbi hapësirën ajrore të Kosovës
Përmes një deklarate KFOR-i rikujtoi menjëherë qeverinë e Kosovës se “Lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë. Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale.”
Pa lejen e KFOR-it dronët nuk lejohet të përdoren
Më tej në deklaratë thuhet se “mbështesim FSK-në për operacionet e mbrojtjes civile siç janë shuarja e zjarreve, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme”, por se për përdorimin e dronëve KFOR-i pret që institucionet në Kosovë të koordinohen dhe të respektojnë procedurat ekzistuese me KFOR-in.
Dronët Bayraktar TB-2 mund të fluturojnë kryesisht në lartësi deri në 5.000 metra. Ata mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë. Dronët Bayraktar konsiderohen si armë mjaft e rëndësishme në konflikte, përfshirë edhe luftën në Ukrainë. Dronët Bayraktar TB-2 aktualisht përdoren nga së paku 11 ushtri të botës. Tani për tani nuk ka informacione se sa dronë Bayraktar TB-2 ka blerë Kosova.
dw