Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell shprehu keqardhjen që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së, si Kosova edhe Serbia kanë bërë përparim shumë të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit
Në 1-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë një epokë të re evropiane. Borrell iu bëri thirrje të dy palëve t’u japin fund krizave e tensioneve.
Moszbatimi i marrëveshjes dëmton reputacionin e Kosovës dhe Serbisë
Vitin e kaluar më 18 mars Kosova dhe Serbia u pajtuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut me aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, por sipas Josep Borrell zbatimi deri tani ka qenë i kufizuar. “BE rikujtoi vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar, prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm. Është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re evropiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, shkroi Borrell.
Në shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje normalizimi. Kjo marrëveshje nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, ku përfshihen njohja e dokumenteve dhe simboleve dhe respektim i sovranitetit dhe tërësisë tokësore të dy vendeve. Po ashtu marrëveshja parasheh që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë.
“Në kohën e një lufte të pashembullt në kontinentin tonë, arritja e një marrëveshjeje që premton paqe, qëndrueshmëri dhe marrëdhënie të mira fqinjësore ishte një arritje historike. Për herë të parë gjatë bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, palët u pajtuan për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj do të tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Evropian”, shkroi shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell.
Kërkesa e BE për Asociacionin – e pandryshuar
Bashkimi Evropian vazhdimisht i kërkon Kosovës themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që është një ndër pikat kryesore të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Autoritetet e Prishtinës nuk kanë filluar punën për themelimin e Asociacionit. Qeveria e Kosovës ngul këmbë që marrëveshja e arritur një vit më parë duhet të nënshkruhet. Serbia nuk ka pranuar ta nënshkruajë marrëveshjen.
Kërkesat e Bashkimit Evropian janë të qarta edhe ndaj Serbisë. Ajo duhet të përmbushë pikat e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës. Serbia, në një letër që dërgoi në BE, ka thënë se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës. Për këtë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, tha se pret “vetëm lajme të këqija për vendin e tij dhe se Serbia do ta ndryshojë qasjen në bisedimet me Kosovën”.
“Unë do të shpjegoj se si na mashtruan, ku dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq, e shumë të tjerë, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Vuçiq duke ritheksuar qëndrimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndonëse Marrëveshja e Ohrit e thotë qartë që “palët nuk duhet ta pengojë njëra tjetrën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.
Takim i ri në Bruksel
Të martën më 19 mars, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, do të takohen në Bruksel për të biseduar lidhur me zbatimin e marrëveshjes, por theks të veçantë do të zërë aty edhe çështja e përdorimit të dinarit serb. Sipas një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës ndalohet përdorimi i dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë. Me këtë rregullore nuk pajtohet Beogradi dhe as komuniteti ndërkombëtar. Diplomatët perëndimorë, sidomos SHBA i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë këtë rregullore dhe t’i japë kohë qytetarëve serbë të prekur nga rregullorja për t’u përshtatur me situatën e re.
dw