Rreth 50 deputetë të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës janë regjistruar në ditën e parë, pak ditë para seancës konstituive, e caktuar më 3 gusht.
Për ta kryer këtë obligim kushtetues, i pranishëm ishte edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili për dallim prej herëve tjera, sot ishte më konfuz nëse i kanë numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe themelimin e qeverisë.
I mandatuari për kryeministër nga koalicionin PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj beson se me 3 gusht do të bëhet konsistuimi i Kuvendit, për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë.
Por, edhe pas insistimit nëse koalicioni PAN i ka numrat, Haradinaj me ironi është përgjigjur, kinse s’po e kupton pyetjen.
Por, i sigurt në zgjedhjen e Kadri Veselit kryetar të Kuvendit, është anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, edhe pse thotë se ende s’e kanë caktuar zyrtarisht kandidaturën e tij, porse i takon posti i kryetarit.
Kreu i AKR-së beson se edhe deputetët e tjerë të partisë së tij, do të votojnë sipas përgjegjësive.
Deputeti i koalicionit LAA, Ilir Deda u shpreh i bindur se koalicioni PAN nuk i ka numrat për zgjedhjen e Kadri Veselit kryetar Kuvendi, e as formimin e Qeverisë, pasi asnjë deputet i koalicionit LAA nuk do të votojë për asnjërin.
Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, i cili do të jetë për herë të tretë në Kuvendin e Kosovës, akuzoi zyrën e presidentit për vonesën e thirrjes së seancës. Derisa, u shpreh se janë të gatshëm të udhëheqin institucionet.
I pyetur nëse janë të gatshëm të lëshojnë pe për postin e kryeministrit nëse bëjnë koalicion me koalicionin LAA, nëse koalicioni PAN dështon ta themelojë Qeverinë, Selimi tha se me LDK-në po diskutojnë për programet dhe ende nuk kanë ardhur në fazën e posteve.
Regjistrimi i deputetëve të legjislaturës së gjashtë do të bëhet edhe nesër dhe pasnesër. (rtk)