Parlamenti i Kosovës e “shndërron FSK-në në ushtri” këtë javë

FSKMe tre ligje të veçanta, parlamenti i Kosovës do ta shndërrojë FSK-në në ushtri të Kosovës, por pa ia ndërruar emrin. Serbia e kundërshton shndërrimin e FSK-së në ushtri, duke e cilësuar si kërcënim për rajonin.

Këtë të enjte Parlamenti i Kosovës për herë të parë diskuton dhe pritet  të miratojë tri ligjet e propozuara nga qeveria që do ta shndërrojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës  (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa ia ndërruar emrin. Kjo pako përfshin projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligjin për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Kështu vendosi  kryesia e Kuvendit të Kosovës, një javë pasi një komision i kuvendit pas shqyrtimit të tri ligjeve i procedoi ato për në seancë plenare. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë, tha se Ushtria e Kosovës do të formohet brenda këtij viti. Për miratimin e ligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, nevojitet vetëm shumica e thjeshtë, 61 vota nga 120 deputetë sa i ka kuvendi i Kosovës.

Veseli: Dëshiron apo s’dëshiron dikush, këtë vit do të bëhet

“Ne do ta formojmë ushtrinë  e Kosovës në partneritet me SHBA-në dhe NATO-n. Dëshiron apo s’dëshiron dikush, këtë vit do të bëhet. Lista Serbe është kundër por ne do të punojmë. Duhet ta fuqizojmë  atë e ta bëjmë Forca e Armatosur e Kosovës. Ne do të punojmë ta fuqizojmë dhe ta rrisim buxhetin me dhjetëra miliona”, tha Kadri Veseli.

Që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në ushtri dhe që e ka mbështetjen e SHBA-së, pati folur më herët  pas një vizite në SHBA-së edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Kryeministri tha se “në mesin e lajmeve kryesore, Kosova e ka përkrahjen e Amerikës për Ushtrinë e Kosovës. Kjo është konfirmuar nga sekretari Matis. E kemi bekimin e Amerikës për Ushtrinë”, është shprehur Haradinaj, duke përsëritur se “kjo do t’i kontribuojë paqes në rajon”.

Serbia: Vetëm KFOR në Kosovë

Por, kundër shndërrimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, është Serbia dhe deputetët e listës Srpska në kuvendin e Kosovës. Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, pati deklaruar se “në Kosovë mund të ketë vetëm një forcë të armatosur, e ato janë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, bazuar në rezolutën 1244 të KS-it. Derisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ndryshon vendimin e tij kështu do të jetë, dhe për Serbinë”, citojnë mediet në Serbi, ministrin serb të mbrojtjes.

“Ushtria e Kosovës mund të formohet vetëm me forcë brutale. Krijimi i formacioneve të tilla të paligjshme të armatosura përbën një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin”, thotë ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin.

Në fillim të vitit të shkuar, edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ndërmori një nismë që me ligj ta shndërronte FSK-në në ushtri të Kosovës, mirëpo, ideja e tij hasi në rezistencë të ashpër të faktorit ndërkombëtar. Ata preferojnë që ushtria e Kosovës të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese. Këtë e pati thënë gjatë një vizite në Prishtinë, komandanti Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, James Foggo. “Aleanca e NATO-s dhe Këshilli i Atlantikut Verior ishin këtu para disa muajsh dhe ata e bënë shumë të qartë se për NATO-n, nëse bëhet transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, duhet të bëhet pas ndryshimeve kushtetuese”, pati thënë gjenerali Fogo.

Mirëpo, që  FSK-së të shndërrohet në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese, duhen dy të tretat e votave të deputetëve të kuvendit dhe po ashtu dy të tretat e deputetëve serbë. Qëndrimi i këtyre të fundit tashmë është bërë i qartë disa herë, “ata nuk i votojnë ndryshimet kushtetuese, që ia mundësojnë FSK-së shndërrimin në ushtri të Kosovës”.  “Formacioni i vetëm ushtarak legal në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është KFOR-i, i cili në këto hapësira ka ardhur me pajtimin e Republikës së Serbisë”, ka deklaruar shefi i listës Srpska Igor Simiq.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) për momentin është një forcë shumetnike, e uniformuar dhe e pajisur me armatim të lehtë, me mision intervenim në raste të katastrofave natyrore. Kjo trupë është themeluar në vitin 2009, sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të presidentit Marti Ahtisaari. Forca e Sigurisë së Kosovës, numëron më shumë se 2000 pjesëtarë. 200 për tyre i përkasin komuniteteve pakicë, gjysma e të cilëve janë nga komuniteti serb. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>