Parlamenti i Kosovës të martën në seancë të jashtëzakonshme për bisedimet me Serbinë

parlamenti i ksParlamenti i Kosovës pritet të mblidhet të martën në një seancë të jashtëzakonshme të kërkuar nga opozita lidhur me siç thuhet, angazhimet e presidentit të Kosovës për “shkëmbimin e territoreve” apo “korrigjimin e kufijve” në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Seanca mbahet pak ditë para takimit të radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që do të mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

As njëri dhe as tjetri nuk kanë dhënë hollësi se si mund të dukej një ndryshim i tillë, por presidenti serb e ka shpallur politikë të tij ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike. Presidenti i Kosovës, thotë se korrigjimi i kufijve do të nënkuptonte bashkimin me Kosovën të luginës së Preshevës, një zonë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Por, idetë e presidentit po kundërshtohen nga opozita e cila është shprehur kundër çdo ndryshimi të kufijve të Kosovës.

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se nëpërmjet sëancës dhe miratimit të një rezolute do të dërgohet një sinjal i qartë për qëndrimet e Kosovës.

“Unë pres që mbështetja për këtë rezolutë të planifikuar për të miratuar në parlamentin e Kosovës të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare pa përjashtim të opozitës dhe koalicionit qeverisës sepse është në të mirë të qytetarëve të vendit, është informatë dhe qëndrim i mirë që u dërgohet miqve tanë ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar të vijmë deri në këtë pikë, për vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur përmes deputetëve në parlamentin e Kosovës dhe mbi të gjitha është sinjal i qartë për presidentin e vendit që ai duhet të ndalet me veprimet e tij antikushtetuese për të rrënuar shtetin e Kosovës”,tha zoti Hoti.

Dardan Sejdiu nga Partia Social Demokrate tha se çështja e bisedimeve duhet të merret përsipër nga parlamenti i vendit.

“Çdo lloj diskutimi me palët tjera jashtë parlamentit, pa mandat të tij dhe pa mbikëqyrje të parlamentit është në shpërputhje edhe me frymën që e ka kushtetuta e kësaj republike që e përcakton Kosovën si republikë parlamentare. Duhet të jemi seriozë në orvatjet që i kemi përpara, partnerët tanë ndërkombëtarë po na thonë që kësaj radhe nuk do të jenë dado të Kosovës, po kërkojnë nga Kosova të bëhet gati vet dhe parlamenti është vendi i vetëm ku mund të bëhemi gati të bëhemi gati mirë e mbarë”,tha zoti Sejdiu.

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, do të bisedojnë të premten në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini në kuadër të asaj që quhet periudha përfundimtare e bisedimeve.

Zonja Mogherini tha të premten në Vjenë se pret një takim të vështirë në kërkim të një marrëveshjeje ligjore ndërmjet të dyja vendeve, ndërsa theksoi se “do të do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk çon në krijimin e shteteve njëetnike”.

Një pjesë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në radhë të parë Gjermania e Britania e Madhe, kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve për shkak të pasojave që mund të kishte për Ballkanin Perëndimorë që ende po rimëkëmbet nga pasojat e luftërave të përgjakshme të fundshekullit të kaluar.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre është kusht për integrimet evropiane. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>