Kryesia e Parlamentit të Kosovës vendosi të thërrasë të enjten një seancë gjatë së cilës pritet të votohet marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Thirrja e seancës pasoi kërkesën e qeverisë së Kosovës për një gjë të tillë, e cila një ditë më parë miratoi projektligjin së bashku me deklaratat e presidentëve të Kosovës e Malit të Zi për të zgjidhur këtë çështje. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli bëri thirrje që projektligji të votohet nga të gjithë pa dallim.
Autoritetet po shpresojnë që deputetët do ta ratifikojnë marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, një çështje kjo që ndarë skenën politike në vend për gati tri vite. Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë ka bërë të ditur se do ta votojë për këtë marrëveshje ndërsa lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta kundërshtojë. I paqartë mbetet ndërkaq vendimi i Listës Serbe e cila deri më tani nuk ka treguar qëndrim për një gjë të tillë.
Organizimi i seancës pasoi një pajtim ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, për të mundësuar ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit duke përfshirë edhe mundësinë e korrigjimeve të vijës kufitare të përcaktuar më marrëveshjen e nënshkruar në gusht të vitit 2015.
Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane. (voa)