Në momentin e fundit arrihet marrëveshja për targat. Borrell paralajmëron takime të reja mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel. Presidentja e Kosovës falëndern SHBA për marrëveshjen.
Kryediplomati i BE-së Josep Borrel thotë se do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Palët douhet të kuptojnë se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat dhe palët ranë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Marrëveshja u arrit pak para mesnatëssë ditës së mërkurë kur skadonte afati i vënë nga qeveria e Kosovës.
“Serbia do të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës, e Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm, mbi propozimin e paraqitur në muajin shtator nga ndërmjetësuesi i BE-së dhe të mbështetur nga Franca dhe Gjermania”, thuhet në një deklaratë të Josep Borrell. Ai nënvizoi se “Bashkimi Evropian, do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit dhe palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”.
Presidentja falënderon SHBA-në
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu një meritë të veçantë për arritjen e marrëveshjes për targat ia dedikoi SHBA-së, ku tha se “mbështetja e tyre për procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme”. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe i dërguari evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak, ku falënderoi “posaçërisht Departamentin amerikan të Shtetit dhe diplomacinë amerikane për mbështetjen e çmueshme”.
Zëdhënësi Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price nga ana e tij, tha se “përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si rrugën më të mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.
“Përgëzohet vendimi i palëve për të vënë interesat e të gjithë qytetarëve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dyja palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”, shkroi Ned Price. Menjëherë sapo u arri marrëveshja për targat, këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, pati një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Kërkohet angazhimi i SHBA-së
“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkroi Chollet në Twitter.
Partitë politike opozitare nga ana e tyre, kërkojnë lidership amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi, ndërkohë që deri në arritjen e marrëveshjes ishin shumë kritike që kryeministrit Kurti sipas tyre “nuk dëgjonte kërkesat amerikane.
“Mirëpres arritjen e marrëveshjes për targa. Tani të përmbyllet marrëveshja për njohje, me lidership amerikan”, shkroi ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Vetëm dy ditë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit që patën në Bruksel, nuk arritën rezultate. Kryediplomati evropian Josep Borrel bëri përgjegjës kryeministrin Kurti që siç tha “refuzoi propozimin e BE-së për dalje nga situata e krijuar”. Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e kritikoi ashpër Borrellin për siç tha, “ndryshim të agjendës dhe largimin nga tavolina e diskutimeve të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke ju përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e Bashkimit Evropian, por për targat”, tha kryeministri Kurti. E ashpër në reagimin e saj ishte edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, e cila Borrellin e akuzoi për njëanshmëri.
Akuzat ndaj Borrellit
“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, shkroi Osmani në Facebook, duke përmendur disa marrëveshje të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje këto që sipas saj, nuk i ka respektuar Serbia.
Me 1 nëntor qeveria e Kosovës filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për riregjistrimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e afatit. Të gjithë punonjësit serbë nga veriu dhe përfaqësuesit e tyre politik u larguan nga institucionet e Kosovës dhe me protesta të një pas njëshme, kundërshtuan vendimet e qeverisë së Kosovës.
Serbët nuk duhet të kenë frikë
Petar Petkoviq, kryenegociator i Serbisë në dialog, tha se pronarët e makinave më targa të lëshuara nga Serbia nuk kanë arsye të kenë frikë nga gjobat e Policisë së Kosovës, duke njoftuar njëkohësisht që targat e deritashme serbe mund të qarkullojnë lirshëm.
“Ato do të vazhdojnë të jenë në përdorim si deri më tani. Kjo do të thotë, ndër të tjera, se absolutisht të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM. I vetmi vend ku do të ndalemi, është që do të ndalim lëshimin e targave fizike tërësisht të reja KM deri në momentin kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për targat”, tha Petkoviq.
dw