Përfaqësuesit e Preshevës vijnë në Tiranë, kërkojnë mbështetje

Bushati Perfaqsues L PreshevesPërfaqësuesit e Luginës së Preshevës takojnë ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.  Gjatë takimit shmanget tema e “korrigjimit të kufijve” flitet për dialogun Kosovë-Serbi nën mbështetjen e BE-së. Reagon Thaçi: Nuk ka ndarje, po bashkëngjittjes së Preshevës.

Procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, ka sjellë në Tiranë, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës. Deklaratat e fundit të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe e mbështetur në unison, nga ana e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, ka shqetësuar politikën e Tiranës. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Preshevës, Ragmi Mustafa njihet ndërkohë si një nxitës dhe përkrahës i nismës për bashkimin e Luginës se Preshevës me Kosovën. Ai ndërkohe e ka quajtur të vonuar deklaratën e presidentit Thaçi për korrigjim te kufijve. Ka kohë që politika e jashtme e Shqipërisë është e orientuar drejt vijës së Bashkimit Evropian, në lidhje me qëndrimin ndaj ngjarjeve në Ballkan. Stabiliteti i rajonit, është një nga interesat kryesore të Bashkimit Evropian, si rrjedhojë edhe diplomacia shqiptare është e orientuar drejt kësaj qasje. Takimi i djeshëm me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, bëhet për të përçuar zërin e Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme te BE-së, Federica Mogherini. Vazhdimësia e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është në qendër të politikës së Bashkimit Evropian. Kësaj linje nuk i ka lëvizur as Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Pavarësisht shqetësimit kryesor aktual, që ka të bëjë me çështjen e kufijve dhe shkëmbimeve territoriale, zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme, thekson se, “Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti dje një grup të përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës. Në qendër të diskutimit ishin situata e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, si dhe zhvillimet e tanishme në rajon. Ministri Bushati dëgjoi mendimet dhe kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e spektrit politik të Luginës, me fokus kryesor shqetësimin e tyre për ecurinë socio-ekonomike, kulturore e arsimore, si dhe mungesën e shërbimeve dhe të standardeve parësore, që po çojnë drejt humbjes së perspektivës për të rinjtë dhe largimin e tyre nga Lugina. Ai ritheksoi angazhimin tonë për mbështetje të pakushtëzuar në adresimin e kërkesave të tyre, çka është materializuar edhe në një sërë iniciativash e kontributesh për nxitjen e kapaciteteve zhvillimore nga ana e Qeverisë shqiptare dhe i siguroi bashkëbiseduesit se shteti shqiptar do të vijojë të kërkojë nga Serbia për shqiptarët e Luginës atë që atyre u takon, më shumë mirëqenie, më shumë respekt dhe më shumë përfshirje në proceset integruese të Serbisë. “Është detyrim i drejtpërdrejtë i autoriteteve serbe të sigurojë përmbushjen tërësore të të drejtave për popullsinë shqiptare në Serbi në respekt të angazhimeve që burojnë nga procesi i negocimit me Bashkimin Evropian, si edhe të normave të gjithë pranuara ndërkombëtare. Ajo çka kërkojmë nga Serbia për ju është të sigurojë as më shumë e as më pak sesa të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë”, u shpreh Ministri. Përfaqësuesit e Luginës parashtruan mendimet e tyre edhe mbi zhvillimet e tanishme në rajon, veçanërisht procesin e Dialogut Kosovë-Serbi. Në këtë kontekst, Ministri Bushati ndau me bashkëbiseduesit qasjen e Shqipërisë në raport me këto zhvillime, duke e vënë theksin tek rëndësia e vijimësisë së dialogut dhe orientimin e tij në mënyrë efektive, në terma të qartë, pa ekuivok dhe të balancuar për sa i përket zbatimit të plotë të marrëveshjeve dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës. “Ne i qëndrojmë bindjes tonë se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me një Marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, që do të sillte jo vetëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, por edhe do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, tha ai. Mbas takimit me Bushatin, delegacioni i Luginës së Preshevës, është takuar edhe me Kryeministrin Edi Rama. Edhe pse zyra e shtypit të kryeministrisë nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike, ajo që mësohet është se diskutimi është përqendruar tek çështja e kufijve dhe marrëdhëniet me Serbinë. Kujtojmë se shteti shqiptar nuk ka dalë akoma me një deklaratë zyrtare, për sa i përket pretendimeve të ngritura nga ana e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Hashim Thaçi reagon

Dje, me anë të një statusi në Facebook, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka përsëritur idenë e tij, se mbështet korrigjimin e kufijve dhe jo shkëmbimin apo ndarjen territoriale të Kosovës. Ai shkruan se, “Jo ndarje të Kosovës, por po shkëmbimit të territoreve, ky ishte qëndrimi realist dhe i guximshëm i Presidentit Ibrahim Rugova në vitin 1994. Ndërsa, qëndrimi im sot si President i Republikës së Kosovës ka evoluar dhe është i qartë: jo ndarje, jo shkëmbim, po korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të mundësuar bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovë”, përfundon statusin e tij Hashim Thaçi. Deklarata e tij vjen pas takimit të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës me Ministrin e Jashtëm Shqiptar, Ditmir Bushati. (Erjon Dervishi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>