Përfundoi takimi i radhës Thaçi – Vuçiç

thaci mogherini vucicNë Bruksel përfundoi takimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç më ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Në një deklaratë të zyrës së zonjës Mogheirni thuhet se “ata diskutuan në kuadër të fazës së re të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, përgatitjet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”.

Në komunikatë thuhet se ata vlerësuan edhe përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në të kaluarën.

Shefja e politikës së jashtme “nënvizoi rëndësinë që i kushton Bashkimi Evropian zbatimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, dhe theksoi në vecanti urgjencën e fillimit të ngritjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, marrëveshjes pë energjinë dhe përfundimit të punëve në urën e Mitrovicës”.

Ajo mirëpriti “përkushtimin e vazhdueshëm të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rikujtoi se përparimi i tyre drejt integrimeve evropiane, është i lidhur ngushtë me përparimin në bisedime”, thuhet në komunikatë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se ishte një takim konstruktiv në të cilin u diskutua për marrëveshjet e deritashme dhe zbatimin e tyre.

“Kosova u mbetet besnike obligimeve dhe përgjegjësive që ka marrë në marrëveshjet e arritura në Bruksel, sidomos tash në implementimin e hapjes së urës, të angazhimeve për sektorin e energjisë, por edhe për funksionalizimin e komisionit për të formuluar statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sipas marrëveshjes së Brukselit”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se është diskutuar edhe për hapat e mëtejshëm që të shkohet drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë -Serbi, që do të hapte ardhmëri të sigurt evropiane për të dyja vendet.

“Të dyja vendet duam marrëveshje. Ajo është në interesin e Kosovës dhe të Serbisë, është në interesin edhe të investimeve të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimorë, prandaj jam optimist dhe me besim se mund të arrihet marrëveshja e paqes, e stabilitetit, e fqinjësisë së mirë dhe pajtimit në mes të dy vendeve tona. Kjo është rruga e vetme për të ecur përpara. Marrëveshja për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona shihet ndoshta aktualisht si e paarritshme, e di që është shumë e vështirë, por është rruga e vetme dhe besoj që do të arrihet”.

Ai tha se çdo vonesë do të bëjë që të dyja palët të paguajnë çmim më të lartë. Prandaj duhet të punohet në mënyrë dinamike që të arrihet kjo marrëveshje. “Unë shpresoj gjatë këtij viti”, tha presidenti Thaçi.

“Unë nuk dua të punoj në qasjen që secili duhet të humbim nga pak, por unë mendoj se qasja duhet të jetë dhe filozofia e punës se këtij dialogu dhe negociate duhet të jetë që të fitojmë të dyja palët. E fitorja më e madhe është që të jemi pjesë e familjes evropiane”, tha ai duke ju referuar deklarimeve në vazhdimësi të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, sipas të cilit marrëveshje duhet të cojë në një zgjidhje me të cilën të dyja palët do të humbin diçka.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i tha televizionit serb Pink, se Prishtina nuk e ka përmbushur çështjen kryesore të marrëveshjeve të arritura deri tash që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Për pesë vjet edhe luftërat më të rënda kanë përfunduar, vetëm asociacioni nuk është themeluar”, tha ai, duke nënvizuar se BE-ja i ka kërkuar Prishtinës me ngulm që kjo çështje të përmbyllet. Ai tha se nuk mund të fajësohen vetëm shqiptarët për këtë dështim.

Ai ritheksoi se Serbia është në rrugën evropiane, por “nuk do të rrënojë interesat e saj kombëtare e shtetërore që disa në Evropë dhe në botë të jenë të kënaqur”.

Ai tha se “hapësira e veprimit është shumë e ngushtë” por Serbia duhet të vazhdojë të luftojë dhe “nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës”.

Të dy presidentët shkuan në Bruksel nga Shtetet e Bashkuara ku qëndruan në vizita të paparalajmëruara.

​Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara se fuqitë perëndimore nuk duan të flasin se kujt i takon Kosova dhe e trajtojnë atë si çështje të mbyllur.

“Jam i kënaqur me punën dhe përpjekjen tonë, por nuk jam i kënaqur me rezultatet. Kam shpresuar për mirëkuptim më të madh. Nuk jam i kënaqur me atë që kam arritur. Prej një kohe të gjatë po flasim për të ardhmen e Serbisë, për Kosovën… Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje kompromisi, por pala shqiptare po e bën punën e vet, e bashkësia ndërkombëtare të vetën. Nuk jam i kënaqur, sepse vendet perëndimore qëndrojnë fuqishëm në mbështetjen dhe ruajtjen e pavarësisë Kosovës“, tha ai.

Presidenti serb ka paralajmëruar mundësinë që në muajin prill të paraqesë një platformë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por për këtë tha ai, ka nevojë edhe për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

“Megjithatë, Perëndimi nuk dëshiron në asnjë mënyrë të flasë për atë se kujt i takon Kosova”, tha ai duke nënvizuar se Serbia po paguan çmimin e vendimeve të gabuara të së kaluarës, përfshirë edhe ngritjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila ka pohuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Ai ritheksoi se Serbia është e gatshme për kompromise por jo “edhe të sakrifikojë interesat e saj”, ndërsa hodhi poshtë pohimet se ka zhvilluar takime private me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, apo të ketë biseduar me të për “ndarjen e Kosovës”, një pohim i hedhur nga forcat opozitare në Serbi por edhe nga disa medie evropiane.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi hodhi poshtë mundësinë që të jetë takuar me presidentin serb gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Ai shkroi në rrjetet sociale se “ditëve të fundit kam zhvilluar konsulta intensive me partnerët tanë strategjikë. Në Washington, Londër, Berlin, Paris me qëllim të bashkërendimit të agjendës euro-atlantike për Kosovën. Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin në Parlamentin e Kosovës, do të dinamizojë dhe qartësojë agjendën tonë, dhe është argument shtesë për miqtë dhe partnerët tanë. Përderisa po hyjmë në fazën finale të normalizimit të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, jemi të bekuar me mbështetjen e palëkundshme të aleatëve tanë strategjikë”, shkroi ai.

Vitin e kaluar presidenti serb hapi një dialog të brendshëm serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Ai është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruajë lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serbë që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>