Udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, i dhanë fund një takimi në Bruksel, në një përpjekje të Bashkimit Evropian për të ulur tensionet ndërmjet të dyja vendeve.
Të dyja palët i cilësuan bisedimet si shume të vështira por të rëndësishme për situatën në terren
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se ishte një takim “jo i lehte por i nevojshëm dhe i domosdoshëm për uljen e tensioneve në relacionin në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por edhe për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm për arritjen e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe një procesi plotësisht në përputhshmëri me standardet dhe kriteret evropiane“.
Ai shfaqi shpresën se siç tha, “pas këtij takimi Serbia do të qetësohet dhe do të ulë agjendën e vet nacionaliste në raport me Kosovën dhe pretendimin për cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Kosova është shtete sovran dhe i pavarur dhe do të ishte me interes që Serbia ta njohë sa më parë që është e mundur“.
Ai tha se është në interesin e të dyja palëve që të ketë paqe, qëndrueshmëri, mirëkuptim dhe fqinjësi të mirë, “prandaj në vend të thirrjeve të Beogradit për luftë, Kosova u përgjigjet me paqe dhe në proces të dialogut dhe fqinjësisë së mirë“.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cilësoi po ashtu të vështira bisedimet e së martës. “Vështirë që më kujtohet ndonjë takim më i vështirë, ndonëse nga të gjithë më duket se kam qenë më së shpeshti në takime të tilla“, tha ai, duke nënvizuar se “disa gjëra i kemi shtruar në një bisedë të vështirë dhe të hapur për çështjet për të cilat jemi në qëndrime shumë të kundërta“.
Ai tha se është arritur pajtimi për organizimin e një serie takimesh të nivelit të lartë në vazhdim. “Jemi pajtuar që të gjithë të ‘lëshojmë topin” dhe që të provojmë të sillemi me përgjegjësi dhe të bisedojmë në mënyrë më serioze, duke mos folur keq për palën tjetër“.
Ai tha se bisedimet ndonëse nga shumëkush shihem me rezerva, janë të mira për të ardhmen dhe janë e vetmja zgjidhje. “Pa bisedime kam frikë se mund të shkojmë në rrugë pa krye dhe në probleme më të mëdha, prandaj ky ishe një hap i parë dhe unë them gjithnjë se bisedimet janë shëruese edhe atëherë kur nuk sillni ndonjë marrëveshje të re apo zbatim të ndonjë marrëveshjeje“.
Ai tha se në këtë mënyrë mbrohen njerëzit në terren.
Takimi së martës pasoi tensionet e larta pasi që me 14 janar Kosova ndaloi hyrjen në territorin e saj të një treni të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, me mbishkrimin “Kosova është Serbi” dhe me ikonografi kishtare mesjetare.
Zhvillimet rreth trenit nxitën luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe shqetësimet e diplomatëve për rritjen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve. Treni ishte kundërshtuar nga Kosova e cila atë e cilësoi si një provokim të sovranitetit të saj, ndërsa Beogradi akuzoi Kosovën për dërgimin e njësive të posaçme të policisë në veriun e banuar me shumicë serbe dhe sic u tha nxitjen e konfliktit.
Treni pasoi tensionet edhe ashtu të larta, pas ndalimit në Francë të ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.
Takimi i sotëm është i pari pas një periudhë prej një viti në nivelin e lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hera e dytë që presidentët e të dyja vendeve përfshihen në procesin e bisedimeve, pas takimit të shkurtit të vitit 2013 ndërmjet ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe presidentit serb, Tomislav Nikoliç.
Në prill të atij vitit Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj. (voa)