Ish – luftëtarët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ndërprerë protestën pak minuta më parë. Përfundimi i kësaj proteste erdhi pas një takimi që zhvilluan përfaqësuesit e ish – luftëtarëve të UÇK-së me anëtarët e komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtareve të UÇK, pas këtij takimi ka thënë për media se ka marrë premtimin se deri javën e ardhshme do të bëhet publikimi i plotë i listave.
Protestuesit veteranë të UÇK-së kaluan rrethimin e oborrit të qeverisë dhe kërkuan të takohen me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas KosovaPress, mes protestuesve dhe policisë pati përleshje, por ndërkohë forcat e policisë krijuan një kordon para hyrjes kryesore dhe nuk lejuan askënd të futet brenda objektit. Në oborrin përpara godinës së qeverisë ishin të pranishëm edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Kryetari i Këshillit për të Drejtat e Luftëtarëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi vazhdimisht bëri thirrje që mos të përdoret dhuna nga ana e protestuesve veteranë.
Sipas tij protestuesit nuk kanë nevojë të përleshen me policinë, pasi këtu kanë dalë për t’i kërkuar të drejtat e tyre e që janë publikimi i të gjitha listave.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së po zhvillon sot një protestë kundër zvarritjes së publikimit të listave të veteranëve të UÇK-së dhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale./k.s/