Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i shkroi letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën thekson se është koha për vendosjen e marrëdhënieve normale me Serbinë që kanë në qendër njohjen e ndërsjellë, ndërsa kërkon heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
“I uroj qytetarët e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe demokratike. E mirëpresim formimin e qeverisë së Kosovës dhe presim që të punojmë së bashku, për të çuar përpara qëllimet e përbashkëta në rritjen e zhvillimit ekonomik, sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në letrën e sekretarit Pompeo.
“Tani është koha të kuptoni se normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve me Serbinë, që ka në qendër njohjen e ndërsjellë, është thelbësor për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës. Shtetet e Bashkuara do t’ju qëndrojnë në krah, në përkrahje të këtij procesi”, shkruan në letër sekretari Pompeo duke nënvizuar se “heqja e tarifave për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja, do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tryezën e negociatave. Shpresojmë dhe presim që ju do ta bëni këtë gjë përparësi dhe do të përfitoni nga situata e krijuar pas dy letrave të qëllimit për të vendosur linjën ajrore dhe hekurudhore në mes të Prishtinës dhe Beogradit”.
Diplomatët amerikanë e kanë shtuar trysninë ndaj qeverisë së re për heqjen e tarifave e cila ndërkaq është zotuar ta bëj një gjë të tillë, por duke kushtëzuar heqjen e tarifave me vendosjen e masave të reciprocitetit të plotë më Serbinë, ndonëse ende është e paqartë se si do të realizohet një synim i tillë.
Në nëntor të vitit 2018, qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave, por qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj refuzoi çdo përpjekje të diplomacisë perëndimore për ta bindur për një gjë të tillë.
Opozita nuk pajtohet me planet e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifave madje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, paralajmëroi këtë javë se “do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të penguar heqjen e tarifave”
Menjëherë pas formimit të qeverisë së Albin Kurtit, ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se “pret që tarifat të hiqen menjëherë”.
Çështja pritet të diskutohet edhe gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih që i zhvillon punimet nga 14 deri më 16 shkurt e në të cilën do të marrë pjesë edhe sekretari Pompeo.
Nga Kosova pritet që atje të jenë edhe presidenti Hashim Thaci e kryeministri i ri Albin Kurti. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha gjatë kësaj jave se pritet që atje të marrë pjesë në një panel diskutimi me kryeministrin Albin Kurti dhe se ka mundësi që të hidhet nënshkrimi në një marrëveshje për vendosjen e linjës hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Më 27 janar, ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë, zhvilluan një takim në Berlin për të rihapur linjën hekurudhore ndërmjet tyre, me ndërmjetësimin ambasadorit amerikan, Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bisedimet për këtë çështje u bënë pak ditë pasi që palët nënshkruan një marrëveshje për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell i cili ngulë këmbë se përmirësimi i lidhjeve ekonomike midis dy vendeve dhe hapja e vendeve të punës, do të ndihmojë tërë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
voa