Presidenti Biden i bën thirrje Kosovës të përmbushë detyrimet që dalin nga bisedimet me Serbinë

BidenPresidenti amerikan, Joe Biden, u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë të përmbushin detyrimet që dalin nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke theksuar se marrëveshja gjithëpërfshirëse do të jetë një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë.

Thirrjet janë pjesë e në urimi dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e përvjetorit të pavarësisë që kremtohet të shtunën me 17 shkurt.

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova, thuhet mes tjerash në urim, “mbështesin fuqishëm një Kosovë shumë etnike dhe integrimin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë në fund”.

Përkrah kombeve në rajon dhe në botë, Shtetet e Bashkuara, thuhet në urim, “inkurajojnë Kosovën të përmbushë të gjitha zotimet e saj, duke përfshirë këtu të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në këtë proces”.

Presidenti Biden thekson pritjet për vazhdimin e bashkëpunimit për “rritjen e zhvillimit ekonomik, forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e sundimit të ligjit. Gjithashtu pres vazhdimësinë e bashkëpunimit tonë në fushën e sigurisë dhe përpjekjeve të përbashkëta për të çuar përpara reformat e nevojshme për përmbushjen e synimit të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian. Së bashku ne do të vazhdojmë të ngremë zërin për liri, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën që po përballet me agresionin e tmerrshëm të Rusisë”, thuhet në urimin e shpërndarë nga zyra e presidentes së Kosovës.

Dy ditë më parë presidenti Biden, i bëri thirrje Serbisë që të bëjë hapa përpara, “përfshirë edhe kompromise kur është e nevojshme”, për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Një vit më parë palët u pajtuan për një marrëveshje që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Megjithë pritjet, zbatimi i saj nuk ndodhi dhe palët kaluan periudha tensionesh të larta.

Vjeshtën e kaluar Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që nënkupton më shumë autonomi për këtë komunitet, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës.

Në dhjetor Serbia, përmes një dokumenti tha se nuk do të zbatojë asgjë që çon një njohjen e Kosovës, ndërsa Prishtina ende nuk ka filluar punën për asociacionin.

Bashkimi Evropian përsëriti disa herë se marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe me 18 mars në Ohër, është ligjërisht e detyrueshme për palët duke u bërë thirrje për zbatimin e plotë të saj dhe shmangien e veprimeve që nxisin tensione.

Qeveria amerikane kritikoi qeverinë e Kosovës për shkak të vendimit për të ndaluar përdorimin e dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien tha të martën në një intervistë për Zërin e Amerikës se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore. Pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>