Presidenti francez, Emmanuel Macron, priti sot në Paris kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, takimi i parë në kuadër të zhvillimeve të kësaj jave që pritet të shënojë rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Hoti shkroi se “marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera, ndërsa Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë. Biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me fokus në perspektivën euro-integruese si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës. Biseduam edhe për nevojën e heqjes së regjimit të vizave për kosovarët”.
Franca, shkroi ai, “mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve”.
Të enjten presidenti Macron do të presë në Paris edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Të premten presidenti Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të zhvillojne një video konferencë me kryeministrin Hoti dhe presidentin serb Vuçiç, të cilët të dielën në Bruksel do të ulen përballë njëri tjetrit në takimin e parë mes palëve që nga vjeshta e vitit 2018.
Por çfarë mund të pritet nga rifillimi i këtyre bisedimeve?
Analistët politikë në Kosovë thonë se procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk ka arritur të përmbushë synimin kryesor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se problemi qëndron te vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.
“BE-ja në vetvete përfaqësohet nga politika e jashtme e përbashkët nëpërmjet përfaqësuesit të lartë, por e dimë që rol primar dhe kryesor edhe në politikë të jashtme kanë shtetet anëtare. Duke qenë se BE-ja e ka ndërlidhur çështjen e bërjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë edhe me procesin e zgjerimit dhe ofrimit të perspektivës evropiane për të dyja këto vende, është mese e nevojshme që shtetet anëtare t’i japin një mbështetje më të madhe këtij procesi, që shkon përtej vetëm lehtësimit të thjeshtë të procesit por të ofrohen garanci”, tha ajo në një bisedë për Zërin e Amerikës.
Zonja Krasniqi tha se ndryshimi i qasjes së shteteve jo njohëse duhet të bëhet përmes angazhimit më të madh të dy fuqive më të mëdha evropiane, Francës dhe Gjermanisë.
Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Publikimi i akuzave u bë në prag të takimit Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë që planifikohej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.
Ambasadori Grenell paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit.
Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se në fakt procesi i bisedimeve më lehtë mund të përmbyllet në Washington.
“Të gjitha marrëveshjet që janë arritur në Bruksel pjesa më e madhe e tyre nuk zbatohen dhe nuk ka trysni nga BE-ja për zbatimin e tyre. Kjo për shkak se në Bruksel nuk vendos vetëm një qendër por janë 27 vende anëtare që kanë ndikim në vendimmarrje dhe kjo e bën më të pafavorshëm Brukselin për dialog. Washingtoni e ka dozën e presionit shumë më të madhe dhe mund ta përdor atë dhe t’i obligojë shtetet në zbatimin e çfarëdo marrëveshje që del nga dialogu”, thotë ai.
“Një gjë është mese e qartë që duhet të ketë një bashkërendim dhe një mbështetje të SHBA-ve për këtë proces. Posaçërisht duke e parë që vet BE-ja është e ndarë rreth pozicionit të saj kundrejt Kosovës dhe duke e ditur historikun e zhvillimeve të të gjitha proceseve negociatore nëpër të cilat Kosova dhe Serbia kanë kaluar. Pa Shtetet e Bashkuara vështirë të shihet se si mund të arrijmë edhe në anëtarësimin në Kombet e Bashkuara që është qëllim i Kosovës”, thotë zonja Krasniqi.
Vëzhguesit thonë se zhvillimet e fundit pasqyrojnë mungesën e një bashkërendimi transatlantik rreth Kosovës dhe publikimi i akuzave në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë, ishte goditje ndaj nismës amerikane për rifillimin e bisedimeve.
Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh pjesa më e madhe e të cilave nuk janë zbatuar deri tani.
voa