Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha sot në Moskë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është ende e largët, ndërsa i premtoi presidentit rus, Vladimir Putin se vendi i tij do të ruajë paanshmërinë ushtarake.
Ai i bëri këto komente gjatë takimit me presidentin rus, i dyti gjatë këtij viti, të cilin e falënderoi për siç tha, qëndrimin e vendosur në mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe të interesave të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.
“Pavarësisht nga përpjekjet tona për të arritur kompromis dhe për të ndihmuar qëndrueshmërinë ndërkombëtare, jemi ende shumë larg nga çdo zgjidhje për problemin e Kosovës”, tha presidenti serb.
Serbia një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.
“Serbia, si shtet i pavarur dhe i lirë do të ruajë neutralitetin ushtarak dhe mendoj se sot Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i përmbahet kësaj politike”, i tha ai presidentit rus, që nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.
Një pjesë e madhe e serbëve vlerësojnë qëndrimin kundërshtues të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall dhjetë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.
Presidenti serb ditë më parë e kishte shpallur të humbur politikën e tij të vënies së kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës.
Pas takimit me presidentin rus, ai u tha medieve serbe që po e ndjekin vizitën e tij në Moskë se nuk ka çfarë të flasë për një plan të tillë, që sipas tij. e kanë hedhur poshtë edhe Bashkimi Evropian edhe shqiptarët edhe serbët.
Gjatë verës, ai dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.
Presidenti Thaçi, po vazhdon të përsërisë idenë e tij për “korrigjimin e kufirit”, që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.
Ai tha të martën gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër, se ka një mundësi shume të vogël për një marrëveshje historike me Serbinë dhe nëse nuk shfrytëzohet, do të ketë një dekadë tjetër të konfliktit të ngrirë dhe status quos.
Ideja e tij nuk është përkrahur në Kosovë, ku edhe është protestuar kundër saj.
Idetë për prekje kufijsh kanë nxitur edhe reagime të ndara në skenën ndërkombëtare ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje ndërmjet palëve dhe atyre që pohojnë se kjo do të kishte pasoja të rënda për rajonin e Ballkanit perëndimorë që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar. voa