Presidentja Jahjaga fillon përpjekjet për dialogun politik

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, hapi takimet me partitë politike në përpjekje për të tejkaluar situatën aktuale në vend.

jahjagaPresidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, filloi të hënën përpjekjet për vendosjen e një dialogu politik ndërmjet udhëheqësve të institucioneve dhe partive politike, në përpjekje për tejkalimin e situatës së krijuar në vend, për shkak të mospajtimeve ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare.

Që nga 22 shtatori, partitë opozitare pamundësuan në forma të ndryshme mbajtjen e seancave të parlamentit të Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie.

Partitë opozitare thonë se nuk do të heqin dorë nga bllokimi i institucioneve derisa nuk tërhiqet nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve sikurse edhe asaj për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Anëtarët e këtyre partive qëlluan me vezë kryeministrin e vendit Isa Mustafa si dhe hodhën në dy raste gaz lotsjellës në parlament për të pamundësuar punën e tij.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjga, ftoi të hënën për dialog të partive politike parlamentare në përpjekje  për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend.

Ajo tha se “veprimet e dhunshme dhe diskursi si në institucione dhe jashtë tyre  të ditëve të fundit janë të papranueshme dhe rrezikojnë të lëndojnë konsensusin  demokratik në Republikën e Kosovës. Mandati im si Presidente e vendit është të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve dhe të shërbej si faktor  uniteti, dhe mbi këtë bazë e ftoj spektrin politik parlamentar të Kosovës që të  pranojnë këtë ftesë për dialog për mospajtimet në këto javët e fundit”.

Ajo tha se fillimisht pret të zhvillojë takime të ndara me udhëheqësit e partive politike për të përmbyllur procesin në një tryezë  të  përbashkët.

Shpresoj që kjo iniciativë e imja të ndihmojë që shqetësimet t’i adresojmë me  pjekuri politike dhe duke dëshmuar angazhimin tonë që të jetësojmë përkushtimin tonë për një demokraci parlamentare që fuqizon institucionet, forcon besimin e qytetarëve në perspektiven e vendit të tyre dhe krijon pajtimin  bazik për rrugën tonë përpara”, tha ajo.

Duke u bërë thirrje partive politike që të tregojnë  vullnet për të gjetur një gjuhë  të  përbashkët për rrugëdaljen nga situata, presidentja Jahjaga tha se “tash më shumë se kurrë është momenti t’ua dëshmojmë të gjithë qytetarëve që na e kanë besuar udhëheqjen e këtij shteti se dëshira e tyre për të jetuar në paqe, të kenë  një ardhmëri të sigurt për ta e për brezat e ardhshëm, nuk është premtim që zbehet përballë sfidës së parë, por udhërrëfyes, obligim, besë e dhënë se dallimet tona, të çfarëdo natyre, i tejkalojmë në tryezë, duke biseduar, duke gjetur zgjidhje bashkërisht dhe duke marrë përgjegjësi për to”.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Bruksel. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>