Prishtina zyrtare në platformën e saj për dialogun kërkon garanci paraprake të delegacionit serb se e ka autoritetin për njohjen e shtetit të Kosovës. Ky është kushti para uljes në tryezën e bisedimeve me Serbinë.
11 vjetori i shpalljes së pavarësisë e gjen Kosovën nën një presion të pashembullt ndërkombëtar që të ulet për dialog me Serbinë me synimin e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese që do t’i jepte fund problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një tarifë 100% për prodhimet serbe e vendosur nga qeveria e Kosovës, siç thuhet si kundërpërgjigje “ndaj agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë kundër Kosovës”, ka bërë që procesi i bisedimeve finale Kosovë-Serbi të mbetet në vendnumëro.
Kushti i Prishtinës
Prej disa ditësh grupi negociator i Kosovës punoi për hartimin e një platforme për bisedime, të cilën e ka finalizuar ndërkohë. Për këtë platformë janë pajtuar edhe tre udhëheqësit më të lartë të shtetit, Presidenti Thaçi, kryetari i kuvendit Veseli dhe kryeministri Haradinaj, por jo partitë opozitare. Prishtina zyrtare në platformën e saj ka vënë një kusht për t’u përfshirë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Kushti i saj është që përpara se të ulet në tryezën e bisedimeve në Bruksel, “do zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bjerë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”. Platforma e Prishtinës me 11 parime paraqet edhe qëndrimin zyrtar të shtetit të Kosovës për dialogun, ku thuhet se “marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetë e qartë dhe pa dykuptimësi”.
Pikat e platformës së dialogut
Parimi 1 i platformës, që u publikua në Prishtinë thekson se “qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës, si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme”, duke vazhduar më tej se “nuk do të ketë marrëveshje për asgjë deri sa të mos ketë marrëveshje për gjithçka”.
“Kushtetuta e Kosovës, e cila ka pёrfshirё obligimet e dala nga Plani i Ahtisarit nuk është e hapur për negociim”, prandaj objektivat politike të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut synojnë zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Republikën e Serbisë, duke përfshirë:
(a) heqjen e të gjitha pengesave të mbetura ndaj ushtrimit të pavarur të kompetencave sovrane të qeverisjes, në përputhje me parimet e mos-intervenimit dhe mos-ndërhyrjes;
(b) avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar që jetojnë në Republikën e Serbisë, në reciprocitet të plotë me komunitetin serb në Republikën e Kosovës;
(c) promovimin e respektimin nga të gjitha palët e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe refugjatët, së bashku me standardet përkatëse ndërkombëtare të qeverisjes demokratike, llogaridhënëse dhe transparente;
(d) krijimin e mekanizmave të përshtatshëm për të adresuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe drejtës humanitare, përfshirë zbardhjen e fatit tё tё pagjeturve, si dhe reparacionin.
Në platformë më tej theksohet, se “çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacënueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”. Në fund të platformës thuhet se “Pёr Republikën e Kosovës marrëveshja përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme hyn nё fuqi, vetёm pas plotësimit të kushteve nё vijim a) që Serbia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, b) referendumi për marrëveshjen ёshtё mbajtur nё Kosovë, dhe c) marrëveshja ёshtё ratifikuar nga Kuvendet e tё dyja shteteve.
Reagimi i opozitës
Partitë politike opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, vazhdimisht e kundërshtojnë ekipin ngociator të Kosovës, duke e cilësuar si një “delegacion jolegjitim”, siç thonë pa mbështetjen e shumicës. Ato kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe pas kësaj, qeveria e re ta ketë legjitimitetin e dialogut me Serbinë.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, në një postim në profilin e tij, thotë se “LDK, është kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës”, duke shtuar se “hapja e dialogut për kufijtë, është vetagresion ndaj shtetit dhe territorit të vendit. Kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe se dialogu për kufijtë është i ndaluar”, shkruan Mustafa. Ky reagim i LDK-së dhe kreut të saj është nxitur nga deklarimet e mëhershme të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka thënë se “në marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë edhe korrigjimi i kufijve mes dy vendeve”. Javën e kaluar gjatë një vizite në SHBA, presidenti Thaçi tha se “një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë.”
Serbia: Nuk ka dialog pa heqjen e taksës
Megjithë përpjekjet e Prishtinës zyrtare që të flasë me një zë për dialogun me Serbinë, kjo e fundit sipas Presidentit Aleksandër Vuçiq, “nuk rifillon dialog me Kosovën, përderisa Prishtina nuk e heq taksën ndaj prodhimeve të Serbisë”. E heqjen e taksës po e kërkon edhe BE-ja dhe SHBA. Madje tre zyrtarë të lartë të administratës së SHBA-së, Matheë Palmer, zëvendës asistenti i Sekretarit të shtetit, Laura Cooper zëvendës assistentja e sekretarit të mbrojtjes, dhe zëvendës drejtori për çështje të Evropës në këshillin e sigurisë kombëtare, John Erath, dërguan një letër në Prishtinë ku shprehet shqetësimi i SHBA-së, që qeveria e Kosovës po e refuzon këshillën amerikane që ta pezullojë taksën ndaj produkteve të Serbisë në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, e cila do të përqëndrohej në njohje reciproke, gjë që do të ishte e implementueshme, jetëgjatë dhe në të mirë të të dyja palëve”. Ndërsa, në fund të letrës thuhet shumë qartë se qëllimi i SHBA-së është që të shohin Serbinë dhe gjithashtu Kosovën, të veprojnë me përgjegjësi dhe që t’i kthehen dialogut. “Hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte pezullimi i taksës. Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju”, thuhet fund të letrës dërguar në Prishtinë të tre zyrtarëve të lartë të administratës së SHBA-së.
(dw)