Xhamia e Madhe punimet e së cilës nisën në qendër të Prishtinës financohet nga Drejtoria për Relegjion e Turqisë “Diyaneti”, dhe kostoja e ndërtimit të saj, llogaritet të jetë 35 deri në 40 milion euro.
Në kryeqytetin e Kosovës ka filluar ndërtimi i Xhamisë së Madhe, në qendër të Prishtinës jo larg Katedrales, e cila po ashtu gjendet në qendër të qytetit. Ndërtimi i kësaj xhamie të madhe ka qenë kërkesë e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) që nga përfundimi i luftës, me argumentimin, se në xhamitë ekzistuese nuk ka vend për falje të besimtarëve musliman. Bashkësia Islame kërkonte që Xhamia e Madhe të ndërtohet në qendër të Prishtinës, por Komuna e Prishtinës kishte vështirësi në gjetjen e lokacionit. Zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës nuk i besonin arsyetimit të komunës për mungesë lokacioni, duke thënë se për ndërtimin e Katedrales në qendër të Prishtinës u rrëzua një shkollë dhe u ndërtua Katedralja. Pas shumë debatesh e negociatash që kanë zgjatur me vite, Komuna e Prishtinës dhe BIK-u u pajtuan që xhamia të ndërtohet në lagjen Dardania, në shesh-parkimin e Telekomit të Kosovës. Guri themeltar i xhamisë është vendosur në vitin 2012, por që nga ajo kohë deri në fillimin e punimeve ka pasur vështirësi në realizimin e projektit nga BIK. Në nisjen e punimeve të Xhamisë së Madhe, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava tha, se ai beson që punimet e ndërtimit të xhamisë do të përfundojnë shpejtë.
“Të nderuar dhe respektuar besimtarë, në Kosovë dhe në mërgatë kudo që gjendeni më lejoni që nga ky vend tashmë i shenjtë t’ju uroj fillimin e punimeve për ndërtimin e xhamisë qendrore këtu në Prishtinë. Lus Zotin që të na falë shëndet dhe mirëqenie që në një kohë sa më të shkurtër të përfundojnë punimet e ndërtimit të kësaj bukurosheje të Prishtinës”, tha Naim Tërnava.
Por banorët e lagjes Dardania dhe Ulpiana që është afër, thonë se këto lagje kanë nevojë për shkolla e çerdhe, por jo edhe për xhami. Përfaqësuesja e banorëve të lagjes “Dardania” Fatime Ahmeti, që protestonte kundër ndërtimit te xhamsë, thotë se kjo lagje ka nevojë për jetë kulturore, ndërtim të çerdheve e parqeve, e jo për xhami.
“Dardania ka nevojë për amfiteatër, për kinema, ne kemi kërkuar që këtu të ndërtohen shtëpi për të moshurait. Këtu nuk ka nevojë të ndërtohet xhami, kjo është xhami politike. Dardania ka nevojë për objekte kulturore, nëse ndërtohet xhamia, unë do të propozoj që Dardanisë t’i ndryshohet emri, e t’i bëhet Arabi apo Turqi. Unë do të mbledh krejt Dardaninë, që të mos ndërtohet xhamia. Unë i kam thënë edhe Isa Mustafës kur ka qenë kryeministër, nuk duam xhami, duam shkolla e jetë kulturore. Dardania e ka vetëm një çerdhe”, ka thënë përfaqësuesja e lagjes Dardania, Fatime Ahmeti.
Gazetari Visar Duriqi, që vazhdimisht hulumton çështjet e financimeve të organizatave fetare të huaja në Kosovë, është shprehur se “xhamia që po tentohet të ndërtohet është deklaratë politike”, duke sqaruar se ai nuk është kundër ndërtimit të xhamisë, por kundër mënyrës së ndërtimit të saj.
“Unë nuk jam kundër xhamisë për t’u ndërtuar, jam kundër formës së xhamisë se si është ndërtuar. Fillimisht kjo xhami nuk është xhami për falje por deklaratë politike e Erdoganit. Nëse kjo xhami ndërtohet me fonde nga Turqia, është tentativë të na ripushtojë kulturalisht. Pra, ideja e Perandorisë Osmane ekziston ende”, është shprehur në profilin e tij gazetari Visar Duriqi.
Një teolog i njohur në Kosovë profesor Mustafë Bajrami, që më këmbëngulje mbështet ndërtimin e xhamisë thotë, se është vetëm një grup i vogël i njërëzve kundër xhamisë që janë shumë aktiv në rrjete sociale dhe media dhe që po krijojnë propagandë kundër ndërtimit të saj.
“Allahu thotë se puna më e mirë është ndërtimi i xhamisë që është baza dhe themeli i fesë Islame. Janë vetëm një grusht njerëzish që i kanë kapur rrjetet sociale dhe po krijojnë një atmoserë islamofobe, saqë bazuar në këtë atmosferë edhe raportet mbi islamofobinë që i boton Bashkimi Evropian po e paraqesin Kosovën si një vend islamofob”, tha teologu Mustafa për një television lokal RTV Dukagjini. Grupe qytetarësh por dhe arkitektë po kundërshtojnë edhe projektin e xhamisë. Plani i tashëm që po realizohet i përket arkitekturës klasike osmane, që është i ngjashëm me xhamitë që janë ndërtuar në Turqi para disa shekujsh, apo edhe ato në Kosovë gjatë okupimit turk. Xhamia e Madhe punimet e së cilës nisën në qendër të Prishtinës financohet nga Drejtoria për Relegjion e Turqisë “Diyaneti”, dhe kostoja e ndërtimit të saj, llogaritet të jetë 35 deri në 40 milion euro. Shumë arkitektë kanë kërkuar që të përzgjidhej një plan i prezantuar më parë i arkitektes tashmë të ndjerë, Zaha Hadid, ku sipas tyre një xhami e tillë do ta kthente kryeqytetin dhe këtë xhami në një atraksion edhe turistik. Megjithatë, Bashkësia Islame e Kosovës në mesin e 81 projekteve ideore të prezantuara ka përzgjedhur projektin e kompanisë turke UFV Mimarlik (Architecture).
Protesta e një grupi qytetarësh kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe nxiti edhe reagimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili bëri thirrje “që të mos ketë nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike”. Edhe ish-kryeministri Isa Mustafa, shkroi në Facebook, se “objektet fetare nuk duhet ta pengojnë askënd”. Xhamia e Madhe që do të ndërtohet në Prishtinë, do të ketë 15 mijë metra katrorë dhe 4 minare. Sipas zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës, brenda objektit të xhamisë do të ketë bibliotekë dhe salla për takime dhe konferenca. Në territorin e Kosovës janë 822 objekte fetare islame, 742 janë xhami aktive, 4 xhami janë duke u meremetuar dhe 16 të tjera duke u ndërtuar.
Kosova ka popullsi prej 1.8 milion banorëve. Rreth 95% e tyre i përkasin besimit islam, 2.2% besimit katolik, dhe 1.4% të besimit ortodoks shumica prej tyre serbë të Kosovës.
dw