Më shumë se 100.000 qytetarë të Republikës së Kosovës dolën sot në protestën e thirrur nga Opozita e Bashkuar, për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë antikushtetuese. Pavarësisht kërcënimeve policore dhe përdorimit të kanaleve të propagandës për të frikësuar popullin, qytetarët dolën më shumë se kurrë më parë.
Pjesëmarrësit kanë ardhur prej të gjitha anëve të Kosovës, prej qyteteve e fshatrave, e masivisht prej kryeqytetit, Prishtinës. Protesta nisi në orën 14:00 te Biblioteka Kombëtare, dhe vazhdoi në formë marshimi deri te Sheshi Skënderbe. Aty qytetarëve iu drejtuan me fjalime deputetë e udhëheqës të subjekteve opozitare, Nismës për Kosovën, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Populli i Kosovës është ngritur në këmbë, masivisht, për t’i kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme për Kosovën, dhe për ta kundërshtuar këtë Qeveri që me cdo kusht po i shtyn këto marrëveshje përpara. Një Qeveri që e ka shkelur 23 herë Kushtetutën e vendit, nuk ka legjitimitet e as legalitet ta udhëheqë vendin.
Marrëveshjet tashmë janë anuluar prej verdiktit popullor, dhe kësaj Qeverie i mbetet vetëm të largohet, menjëherë. Këtë po e kërkon sot populli i Kosovës, në sheshet e Prishtinës, në protestën më të madhe të pasluftës në Kosovë. Nëse Qeveria nuk e dëgjon fjalën e popullit, atëherë prej 27 shkurtit protestat do të bëhen intensive e të pandërprera. Sot populli me prezencën dhe zërin e tij e ka shkarkuar Qeverinë e Kosovës. (LVV)