Kryeministri Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi në konferencë për media

thaci MustafaKryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi pas protestës së opozitës në konferencë për media thanë se si pasojë e protestës së opozitës, në tetëvjetorin e pavarësisë, pjesa më e madhe e qytetarëve e kanë pritur këtë festë në shtëpitë e tyre. Dhanë edhe përgjigje për ultimatumin e opozitës.

“Munden këta të japin afate deri më 10 qershor 2018, derisa të mbahen zgjedhjet e rregullta. Bile nuk do ta lodhi mendjen të mendoj për afatet tyre, sepse kemi punë shumë më të mençur”, tha Mustafa.
“Sa i përket ultimatumeve, në këtë vesh hyjnë në këtë tjetrin dalin. As se kemi ndërmend t’i dëgjojmë ultimatumet revolucionare”, tha Thaçi.
Edhe Mustafa edhe Thaçi kishin një fjalor të ashpër ndaj opozitës, të cilën, megjithatë e ftuan për dialog. Madje, Thaçi i quajti qyqarë opozitarët, të cilët vetëm pak metra nga Qeveria mbajtën protestë paqësore.

“Kishin dërguar mesazhe, na pritni sot në Prishtinë, na pritni në Qeveri. Ne ishim këtu, 20 metra distancë me ta. Nuk erdhën. Kësaj radhe kishim vendosim mos t’i presim me kafe, por t’ua japim përgjigjen e merituar. E si u larguan? Me bisht nën shalë, si qyqarë”, tha Thaçi.

Edhe peticionin e opozitës, me mbi 200 mijë nënshkrime kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Thaçi e quajti të falsifikuar. Madje paralajmëroi ngritjen e një komisioni hetimor për këtë peticion.

“Eprorët opozitarë, duhet të përgjigjen për ato falsifikime masive të peticionit”, tha Thaçi.

Më tej, Thaçi tha se çështja e demarkacionit me Malin e Zi, është ngritur vetëm për interesa personale, duke aluduar në pronën e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në fshatin Shtedim, në Rugovë.

E shefi i Thaçit, Isa Mustafa, tha se ajo që u tha në shesh nga opozita flet për shumë të pavërteta, flet për iluzionet e tyre dhe për dëshirën e tyre që të rrënohet shteti dhe pushteti, e në mënyrë jolegale të vendoset pushteti në Kosovë..

“Askush nuk ka të drejtë ta shpallë të shkarkuar Qeverinë në lamën e këtij qyteti, sepse lamat dhe sheshet nuk janë as për të zgjedhur, as për të shkarkuar Qeverinë”, tha Mustafa.

Mustafa tha se kjo qeveri do ta vazhdojë mandatin deri më 10 qershor të vitit 2018 me legjitimitet dhe legalitet të plotë dhe me përkushtim që t’i kryej të gjitha zotimet që ua ka dhënë qytetarëve. Mustafa e Thaçi theksuan se institucionet janë stabile, legjitime, me legalitet të plotë dhe me bashkëpunim të shkëlqyer me bashkësinë ndërkombëtare. Ata thanë se do të vazhdojnë me agjendën e përbashkët për zgjedhjen e presidentit, duke respektuar afatin kushtetues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>