Pjesëmarrësit në protestën e thirrur nga OVL e UÇK-së janë duke qëndruar në oborr të Kuvendit të Kosovës.
Shumë prej tyre janë ulur përballë policisë e të tjerë janë duke qëndruar nën hije.
Siç njoftojnë gazetaret e RTK-së, Venera Xhoxhaj e Valjeta Shala që po ndjekin nga afër këtë protestë, nga të dy anët e ndërtesës së Kuvendit, protesta po vazhdon e qetë.
Klinaku fton protestuesit të qëndrojnë derisa të fillojë seanca
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku ka ftuar protestuesit të qëndrojnë në oborr të kuvendit, pasi në orën 13:00 vazhdon seanca plenare.
Ai tha, nuk duhet të mbahet asnjë seancë plenare, derisa shkelen të drejtat e tyre dhe ligji.
“Ne konsiderojmë që nuk duhet të mbahet asnjë seancë e Kuvendit të Kosovës, përderisa shkelet ligji, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese nga ky kuvend, përderisa shkelen të drejtat ligjore të veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. Ne i kemi në protestë edhe ata që po kërkojnë trustin, edhe ne si protestues jemi që të tërhiqet Trusti. Sepse Trusti është i qytetarëve e jo i pushtetarëve. Prandaj, kërkoj që të qëndroni ju, sepse në orën 13:00 fillon prapë seanca dhe nuk duhet të largohemi. T’i tregojmë këtij pushteti se pa pjesëmarrjen tonë dhe ndryshim të ligjit, nuk është protesta jonë e fundit”, tha Klinaku.
Ndërkohë, minuta më parë, protestuesve iu drejtuan me nga një fjalim, Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së dhe deputetja e AAK-së, Time Kadriaj.
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka deklaruar se Kuvendi e qeveria po luftojnë veteranët, kjo pasi siç tha ai, të dy këto institucione duhet të reflektojnë për gabimin qe e ka bërë ndaj veteranëve.
Molliqaj u shpreh se si pjesëmarrës i kësaj proteste, mbështet kërkesat e veteranëve të luftës.
Ai tha se kërkesat e veteranëve janë të domosdoshme dhe diskutimi se ata kanë vjedhur janë të padrejta.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj i është bashkuar protestuesve në oborrin e Kuvendit. Ajo ka thënë se është bashkë me protestuesit si veterane e luftës.
Ajo para mediave ka deklaruar se barra për këtë situatë bie mbi qeverinë Kurti.
Madje, ajo shtoi se nuk do të ketë normalitet të seancave, nëse nuk përfshihen veteranët në projektligjin për pagën minimale, në të cilin nuk janë përfshirë kjo kategori e luftës.
“Sot e kundërshtuam, thamë që nuk do të ketë normalitet të seancave deri sa nuk fillon dialogu dhe nuk përfshihen veteranët. Unë mendoj që qeveria duhet të reflektojë në këtë drejtim”, tha Kadriaj.
Veteranët në protestë, thirrje Qeverisë për reflektim
(E plotësuar: Ora: 11:02) Në protestën e veteranëve të UÇK-së që po mbahet para Kuvendit të Kosovës, kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari i bëri thirrje qeverisë dhe Kuvendit, që të reflektojnë ndaj kërkesave të tyre dhe siç tha, të ndalen edhe provokimet ndaj protestuesve.
Po ashtu, Jashari ka bërë thirrje protestuesve që ajo të mbahet e qetë dhe me dinjitet.
“Ne iu kemi bërë thirrje që protesta të jetë e qetë, të jetë e dinjitetshme, siç ka qenë ushtria Çlirimtare e Kosovës e dinjitetshme, dhe ne nuk kemi punë me policinë e Kosovës, nuk kemi punë me objektet që janë ndërtuar mbi sakrificën, mbi mundin e atyre që çka kanë bërë kategoritë e luftës”, tha Jashari.
Ai u bëri thirrje qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, edhe të deputetëve që të reflektojnë.
“Ne do ta përfundojmë protestën në mënyrë të qetë për t’i dhënë rastin e fundit këtyre institucioneve që të korrigjohen, në të kundërtën do të marrim edhe masa të tjera, të cilat ndoshta nuk do t’i duhen askujt”, theksoi ai.
Në protestën sotme që po mbahet në Prishtinë për rritjen e pensioneve të tyre krahas rritjes së pagës minimale, po marrin pjesë qindra veteranë të luftës.
Klinaku u drejtohet deputetëve: Jeni në kolltukë fal këtyre njerëzve
(E plotësuar: Ora: 10:34) Protestuesit kanë bllokuar oborrin e Kuvendit të Kosovës, në të dy hyrjet e e tij.
Ndërkohë, edhe policia është vendosur përreth objektit.
Gazetarja e RTK-së, Valjeta Shala, e vendosur në anën tjetër të Kuvendit të Kosovës, njofton se ndryshe nga ana hyrja kryesore, në anën tjetër ku hyrja në oborrin e Kuvendit bëhet edhe me vetura,situata është më e qetë.
Sidoqoftë, ajo deklaron se protestuesit nuk kanë lejuar disa deputetë të hyjnë brenda në seancë.
Kjo për faktin se paralelisht, në Kuvend pritet të fillojë një seancë e cila nuk ka të bëjë me kërkesën e protestuesve, por ka një rend tjetër të ditës.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, mbajti një fjalim të shkurtër para protestuesve.
Ai tha se duhet ditur se kjo është një kategori e cila është e gatshme të përgjigjet sa herë që e kërkon zëri i atdheut.
“Falë këtyre njerëzve sot politikanët janë të ulur në kolltukë”, ka thënë Klinaku.
Ai konsideron se padrejtësisht veteranët kanë mbetur jashtë përfshirjes nga projektligji për rritjen e pagës minimale.
Protestuesit hyjnë në oborrin e Kuvendit
(E plotësuar: Ora: 10:13) Tashmë ka filluar protesta e thirrur nga OVL e UÇK-së, para Kuvendit të Kosovës.
Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të kësaj organizate, deklaroi se pushteti po provokon. “Ne kërkojmë që të ndalohen provokimet”, th ai.
Veteranët tashmë janë duke tentuar të futen brenda rrethojës së Kuvendit të Kosovës ku përballë tyre është vendosur kordoni i policisë.
Nën thirrjet “UÇK”, “Policia e jona”, ata tashmë ndodhen në oborrin e Kuvendit.
Siç njofton gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, protestuesit kanë thyer derën e rrethojës së oborrit.
Ndërkohë, para këtij institucioni, janë vendosur edhe Njësitet Speciale të policisë.
Fillon tubimi i protestuesve, policia vendoset pranë Kuvendit (Foto)
(E plotësuar: Ora 09:40) Ashtu siç edhe kanë paralajmëruar, OVL e UÇK-së, në sheshin kryesor të Prishtinës, kanë filluar të mblidhen protestues.
Protesta e thirrur për paraditen e sotme pritet të mbahet, nën masa të rrepta të sigurisë.
Patrulla dhe pjesëtarë të shumtë të forcave të rendit tashmë janë në vendin e ngjarjes dhe siç njofton gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, aty ndodhet edhe një auto ambulancë.
Ndërkohë, protesta po monitorohet nga policia edhe nga ajri me anë të dronëve.
Veteranët kundërshtojnë miratimin e projektligjit për pagën minimale nga ana e Kuvendit të Kosovës meqë kategoritë e luftës nuk janë përfshirë në të.
Votimi i para dy ditëve në Kuvendit i këtij projektligji është bërë nga deputetët e koalicionit qeveritar.
Policia rrethon Kuvendin, para protestës së OVL të UÇK-së
(E plotësuar: Ora 09:30) Policia e Kosovës është vendosur që në orët e mëngjes, pranë institucionit të Kuvendit të Kosovës.
Pjesëtarë të forcave të rendit janë vendosur përreth ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë.
Kjo pasi OVL e UÇK-së ka thirrur për sot protestë gjithë popullore, në kundërshtim të votimit në parim të projektligjit për pagën minimale.
Bazuar në këtë projektligj, këto kategori të luftës nuk përfshihen në të.
Me projektligjin e ri, paga minimale që tani është 170 euro, pritet të jetë 264 euro bruto ose 150 euro neto.
Veteranët në kërkesën e tyre i ka mbështetur edhe AAK-ja dhe kryetari i saj Ramush Haradinaj.
Një protestë e ngjashme është mbajtur edhe dhjetë ditë më parë, por e cila përfundoi me gaz lotsjellës dhe në dhunë.
rtk