Të gjeturat nga mjeko-ligjorët Besim Ymaj dhe Besim Latifaj hedhin poshtë raportin e mjeko-ligjorëve të caktuar nga institucionet shtetërore, i cili raport nuk shpjegonte lidhjet shkencore e logjike midis konstatimeve të shkakut të vdekjes (asfiksisë) dhe shkaktarit të vdekjes (dëmtime të vetëshkaktuara “hezituese”).
Ky raport i detajizuar nga Dr. Ymaj dhe Dr. Latifaj demanton shumë konstatime nga organet e hetuesisë dhe prokuroria, të cilat me nguti, pas shumë deklaratave kontradiktore, vdekjen e Astritit u përpoqën ta paraqesin si “vetëvrasje”. Dhe për më keq, Kryeprokurori Sylë Hoxha, mënjeherë pas publikimit të këtij raporti deklaron se këtë raport të ekspertëve ligjorë të pavarur nuk do ta marrin parasysh.
Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe e papranueshme që institucionet e drejtësisë të pengojnë zbardhjen e vdekjes të një qytetari në një institucion të sigurisë. Këto institucione, të cilat që nga 5 nëntori nxorrën vetëm deklarata kontradiktore dhe një raport jokredibil të autopsisë, të shpërfillin raportin e publikuar nga mjeko-ligjorët e pavarur që është i bazuar në fakte dhe dëshmi, përveç se në autopsinë e trupit të pajetë të Astritit.
Ky raport dallon nga ai zyrtar edhe në shumësinë e fakteve që sjellë, edhe me konsistencën ligjore që e ngërthen në vete. Dhe fakti që prokuroria po refuzon ta përdorë këtë raport tregon se ajo nuk e do as të vërtetën e as drejtësinë për Astritin. Tregon se prokuroria ka përgjigje negative për kërkesën e familjes, Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qytetarëve të shumtë për hetim të pavarur.
Prandaj, ne qëndrojmë prapa kërkesës për hetim të pavarur, dhe nuk do të ndalemi së kërkuari zbardhjen e tij. Është momenti i fundit që institucionet të reflektojnë dhe reagojnë për zbardhjen e rastit. Shteti i kapur nga klani “Pronto” prodhon kryeprokurorë e prokurorë si Sylë Hoxha e Metush Biraj, të cilët nuk e kanë synim shtetin e së drejtës. Drejtësia mundësohet vetëm me çlirimin e institucioneve nga ky grupim kriminal. (LVV)