Qeveria e Kosovës vendosi të hënën ta dërgojë në parlament projektligjin mbi marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, bashkë më gjetjet e Komisionit Shtetëror për kufirin, raporti i të cilit u publikua sot në mbledhjen e qeverisë.
Sipas këtij komisioni marrëveshja e nënshkruar në gusht të vitit 2015 për kufirin me Malin e Zi, e ka cenuar tërësinë tokësore të Kosovës. Kryetari i komisionit, Shpejtim Bulliqi, tha se është konstatuar njëzëshëm se “vija kufitare e përcaktuar me marrëveshjen për kufirin e ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e arritur më 26 gusht 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, shfaqi mospajtimin me gjetjet e komisionit që sipas tij, vetëm sa e ka ndërlikuar situatën dhe nuk ka paraqitur fakte dhe argumente bindëse që vërtetojnë se marrëveshja ka qenë e dëmshme apo e gabuar.
Komisioni i ri për vlerësimin e vijës kufitare me Malin e Zi është ngritur me vendim të qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili që nga fillimi ishte një nga kritikuesit më të mëdhenj të marrëveshjes së arritur.
Marrëveshja është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi dhe sipas zyrtarëve në Podgoricë ajo është e përfunduar dhe nuk mund të rinegociohet.
Marrëveshja ndërkaq nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humbet mbi 8 mijë hektarë tokë.
Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që Kosova të jetë e vetme në rajonin e Ballkanit perëndimorë qytetarët e së cilës duhet të kërkojë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Tash për tash nuk dihet se kur mund të mblidhet parlamenti për ta diskutuar çështjen e marrëveshjes, ratifikimi i së cilës kërkon dy të tretat e votave të parlamentit 120 vendesh të Kosovës. Qeveria aktuale është ngritur me 61 vota. (voa)