Qeveria e Kosovës tha të mërkurën se po bën përgatitjet për të vazhduar bisedimet me Serbinë, me gjithë situatën e krijuar në vend pas publikimit të njoftimit të Prokurorisë së Posaçme më seli në Hagë mbi akuzat ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli. Materiali u përgatit për Zërin e Amerikës nga korrespondenti Leonat Shehu.
Qeveria miratoi vendimin për emërimin e një këshilli të ekspertëve për bisedimet me Serbinë që sipas saj do të udhëhiqet nga një bashkërendues shtetëror dhe ka për qëllim kryerjen e analizave dhe këshillimin e kryeministrit.
“Kosova është e përgatitur për këtë proces, është bërë një punë e madhe edhe nga qeveritë e kaluara. Jemi duke punuar që të kompozojmë një delegacion që do ta përfaqësoj Kosovën të kryesuar nga kryeministri”, tha kryeministri Hoti.
Publikimi i njoftimit për akuzat çoi në dështimin e planeve për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë dhe sipas analistëve situata e re ka vënë në pikëpyetje rifillimin e bisedimeve.
Analisti Faton Abdullahu thotë për Zërin e Amerikës se qeveria e kryeministrit Hoti mbetet e brishtë në shumë fusha dhe sipas tij pa pjesëmarrjen e presidentit Thaçi në bisedime me Serbinë do të jetë shumë vështirë.
“Sepse presidenti Thaçi jo vetëm që është i preferuari i amerikanëve por ka një përvojë të madhe në dialogim dhe ka ndikim të madh më shumë se sa të qenit vetëm president qoftë në karakterin e përfshirjes së elementëve tjerë që ndihmojnë procesin e dialogut prandaj e shoh si shumë të vështirë arritjen e çfarëdo suksesi pa presidentin Thaçi në të. Është mirë para se të vendosë zoti Thaçi të tërhiqet apo jo para se të vendosë që zoti Hoti si kryeministër të vazhdojë tutje apo jo këto dilema duhet të zgjedhin bashkë presidenti Thaçi bashkë me zotin Hoti duke bashkëbiseduar që më parë me administratën Trump se çfarë të bëjnë, t’i hyjnë dialogut prapë bashkë ashtu si ishin bashkë presidenti Thaçi me zotin Hoti apo të presin një kohë tjetër”, tha zoti Abdullahu.
Arbër Fetahu nga Grupi për studime juridike dhe politike thotë se tashmë është krijuar një situatë e re e cila do të ndikojë në rrjedhën e biseidmeve, megjithatë sipas tij është e mundshme dhe duhet të vazhdohen bisedimet pa presidentin Thaçi.
“Në këtë rast roli i presidentit mund të jetë konsultues dhe nuk është te subjekti i presidentit Hashim Thaçi por kushdo qoftë që do të ishte dialogu mund të vazhdohej po qe se do të kishim një unitet të brendshëm politik, një platformë gjithëpërfshirë dhe i takon qeverisë që të siguroj numrat për të miratuar një marrëveshje në Kuvend. Pra siç e dimë roli kryesorë është i qeverisë që të siguroj në këtë rast dy të tretat e e parlamentarëve për të votuar një marrëveshje”, tha zoti Fetahu.
Ai thotë se problem mbetet legjitimiteti i qeverisë pasi që i mungojnë numrat e nevojshëm në parlament dhe se është i domosdoshëm një bashkërendim ndërmjet partive politike në mënyrë që të mos dështojnë bisedimet me Serbinë.
Ndërsa analisti Abdullahu thotë se institucionet duhet që në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të shohin një mundësi të re për të vazhduar bisedimet e udhëhequra nga Washingtoni.
“Unë konsideroj që e mira do të ishte që të dy bashkë prapë ta vazhdojnë dialogun sepse përderisa aktakuza nuk është e plotfuqishme veprimtaria e presidentit nuk mund të ndërprehet ngase do të ishte veprim politik i pamatur nga ana e Thaçit nëse ndërprehet tani, nëse fuqizohet aktakuza është punë tjetër por deri më tani nuk është fuqizuar dhe për shkak se kemi të bëjmë me një agjendë e cila e ka edhe për nxitim për të arritur një paqe dhe stabilitet atëherë çdo gjë duhet me patjetër të jetë në kordinim me administratën Trump”, tha ai.
Bashkimi Evropian ndërkaq po ngulë këmbë që bisedimet të fillojnë gjatë këtij muaji. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, planifikojnë një takim të nivelit të lartë në Paris më 10 korrik, por ende mbetet e paqartë nëse Kosova do të marr pjesë në këtë takim pasi që zhvillimet e fundit kanë lënë prapa mjaft paqartësi dhe Kosovën në një nga situatat më sfiduese që nga shpallja e pavarësisë së saj.
voa