Ambasadorët e vendeve perëndimore QUINT, u kërkuan partive politike që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe spekulative. Ky reagim i tyre erdhi pasi disa parti politike kritikuan KQZ-në për anshmëri politike.
Ambasadorët e shteteve më të industrializuara QUINT, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, thanë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të kujdeset që procesi zgjedhor të jetë transparent dhe i pandikuar nga ndërhyrjet politike. Ata ju bënë thirrje të gjitha partive politike që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative dhe në të njëjtën kohë shprehen “përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt”. Reagimi i QUINT-it erdhi pasi gjatë procesit të certifikimit të listave të subjekteve politike, proces ky që akoma po vazhdon në shkallë të tjera, pati reagime të ashpra nga partitë, të cilat KQZ në këtë fazë nuk certifikoi listat e kandidatëve të tyre, të cilët kanë probleme me ligjin.Ambasadorët e QUINT-it, e takuan kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, e cila u kritikua nga disa subjekte politike përfshirë edhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.
“Populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri”
“E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor të jetë transparent dhe i pandikuar nga ndërhyrjet politike. Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces. Në këtë moment, ne besojmë se populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri nga të gjitha anët. Është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative”, thuhet në komunikatën e ambasadorëve të QUINT-tit.
Ambasadorët e vendeve perëndimore po ashtu u bënë thirrje të gjitha partive politike dhe kandidatëve “që të përfshihen në një garë të ndershme në të gjithë Kosovën, duke respektuar masat anti-COVID-19 gjatë gjithë fushatës. “Derisa shqyrtojnë përzgjedhjen e tyre, qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë propozime të hollësishme të politikave, nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë debati informues. Për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19. Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën”, thuhet në komunikatën e QUINT.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ, në mbledhjen e fundit nuk certifikoi listat zgjedhore të partive politike, Lëvizja Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK dhe Nisma Socialdemokrate. Këto parti nuk pastruan listat e kandidatëve që në tri vjetët e fundit ishin të dënuar për vepër penale me një vendim gjykate të shkallës së prerë. Ky kriter u vendos pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi qeverinë e kaluar të Avdullah Hotit për shkak të jovlefshmërisë së një vote të një deputeti që ishte i dënuar me vendim të shkallës së prerë.
Osmani: “Mbledhja e KQZ-së, e ka lënduar procesin zgjedhor”
Moscertifikimi i këtyre subjekteve politike dhe debatet e nxehta që u zhvilluan në mbledhjen e fundit të KQZ-së menjëherë nxiti reagimin e ushtruesës së detyrës së presidentes Vjosa Osmani, e cila nëpërmjet një videomesazhi tha se “mbledhja e KQZ-së, e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e këtij Komisioni”.
“Prandaj në asnjë moment dhe asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë të biem në kurthet që ndërtohen me qëllim që ky proces zgjedhor të parandalohet dhe stërzgjatet. Zgjedhjet duhet dhe do të mbahen me 14 shkurt dhe qytetarët duhet të lejohen të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese e të votojnë për këdo që ata e përkrahin”, tha Vjosa Osmani, e cila vetë është e përfshirë në listën zgjedhore dhe garon me numrin dy në listën e Vetëvendosjes. “Në rast se ballafaqohemi sërish me situata të tilla sikur ajo e djeshmja, ku abuzohet me KQZ-në si institucion i pavarur për të shtyrë përpara agjenda partiake si dhe forum ku ushtrohet presion mbi shërbyesit civilë, do të detyrohem të ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe këtij procesi zgjedhor, ashtu siç e parasheh ligji për zgjedhjet dhe ashtu siç më detyron kushtetuta e vendit”, tha mes të tjerash Vjosa Osmani.
Tri subjektet politike Vetëvendosja, AAK dhe Nisma Socialdemokrate, listat e të cilave nuk u certifikuan nga KQZ, kanë bërë ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa PZAP. Në rast se edhe ky panel nuk i certifikon këto subjekte politike pa i pastruar listat e kandidatëve që kanë probleme me ligjin, këto subjekte mund të ankohen në Gjykatën Supreme. I gjithë ky proces i verifikimit dhe certifikimit duhet të përfundojë deri me 31 janar, kur edhe do të shpallet e hapur fushata zgjedhore 10 ditore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që mbahen me 14 shkurt. Në këto zgjedhje garojnë 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.
dw