Ramush Haradinaj lirohet me kusht

RamushGjykata e Apelit në qytetin Colmar të Francës lindore e liroi me kusht ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i arrestuar një javë më parë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Lirimi me kusht ia kufizon lëvizjet zotit Haradinaj i cili duhet të qëndrojë në Francë dhe të paraqitet dy herë në javë në polici, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi.

Autoritetet serbe u kanë dorëzuar organeve franceze të drejtësisë kërkesën për ekstradimin e ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte. Mediat serbe raportojnë se Prokuroria për Krime Lufte ka ofruar prova të reja kundër zotit Haradinaj, të cilat siç thuhet nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku u shpall dy herë i pafajshëm.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh siç thuhet në një komunikatë, e befasuar me vendimin e sotëm të autoriteteve gjyqësore franceze, që kryetari i saj të mos kthehet në Kosovë.

“Ne konsiderojmë se vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo edhe t’i lejohet kthimi në atdhe, nuk është drejtësi e plotë. Ne apelojmë tek organet e dreqësisë në Francë që të përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund çfarëdo mase kundër Ramush Haradinajt, meqë ai i ka spastruar të gjitha pretendimet për krime lufte në procesin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Ndalimi i tij nxiti reagime ne shkallë të gjerë në Kosovë, ndërsa për këtë çështje të martën u debatua për rreth 11 orë edhe në parlamentin e Kosovës, i cili dështoi të miratojë një rezolutë të përbashkët për këtë çështje.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Ndalimi i tij në bazë të urdhër arrestit serb ka shtuar tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu të vështira ndërmjet Kosovës e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe Serbisë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj, megjithëse është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>