Komisioni Evropian vlerëson përparimet e Kosovës në procesin e themelimit të Gjykatës së Posaçme për krime lufte dhe më bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Vlerësimet janë pjesë e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, i cili mat përparimin e këtyre vendeve drejt integrimeve evropiane dhe përcakton detyrimet për të përmbushur kriteret për këto integrime.
Në raportin për Kosovën thuhet se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian më 27 tetor të vitit 2015, shënon një ngjarje të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt së ardhmes evropiane. Me këtë marrëveshje është përmbyllur harta e MSA-së me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në raport thuhet se “Kosova ka arritur përparime në dy detyrime ndërkombëtare. Parlamenti i Kosovës ka votuar për ndryshimet kushtetuese, për ngritjen e Gjykatës së Posaçme në muajin gusht duke hedhur poshtë votën kundër të muajit qershor”.
“Kosova gjithashtu ka konfirmuar përkushtimin e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke arritur marrëveshje me Beogradin mbi çështjen e energjisë, telekomit, urës në Mitrovicë dhe mbi ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe”, thuhet në raport, në të cilin kritikohen “pengimet e dhunshme të seancave plenare nga anëtarët e opozitës, të cilat kanë ndikuar në funksionalitetin e parlamentit”.
“Kjo duhet zgjidhur urgjentisht”, thuhet në raport, në të cilin theksohet se ”përkushtimi i vazhdueshëm ndaj bisedimeve me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhdon të jetë përparësi”.
Duke paraqitur raportin para deputetëve të Parlamentit Evropian në Komitetin për Politikë të Jashtme, komisionari Johannes Hahn, tha se në raport është marrë parasysh fakti se gjashtë muajt e krizës politike që pasuan zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të vitit 2014, kanë vonuar reformat thelbësore në Kosovë.
Raporti tërheq vërejtjen në faktin se siç thuhet, sistemi gjyqësor vuan nga mungesa e llogaridhënies dhe u nënshtrohet ndërhyrjeve politike. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme për të siguruar pavarësinë në zbatimin e ligjit për të parandaluar dhe për të luftuar korrupsionin brenda gjyqësorit, për të rekrutuar dhe trajnuar personel më të kualifikuar dhe për shpërndarjen e duhur të burimeve.
Kosovës, thuhet mes tjerash në raport i duhet një qasje gjithëpërfshirëse dhe strategjike për të siguruar rezultate reale në luftimin e korrupsionit endemik.
Hetimet e rralla të korrupsionit të nivelit të lartë nuk kanë çuar në dënime. Raporti kritikon Kosovën edhe për mungesën e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar që e cilëson të jetë endemik po ashtu.
Kosova ka shtuar përpjekjet në luftën kundër terrorizmit, por po vazhdon të përballet me sfida që kanë të bëjnë me radikalizmin.
Në fushën e lirisë së medias Kosova përballet me kuadër ligjor të fragmentuar dhe jo efektiv. Transmetuesi publik është i brishtë përballë trysnisë politike dhe nuk ka fonde të qëndrueshme.
Dhuna ndaj grave dhe qasja e kufizuar e tyre në pronë dëmton ushtrimin e plotë të të drejtave të tyre.
Raporti mes tjerash i kërkon Kosovës forcimin e mbrojtjes së personave me nevoja të veçanta dhe atyre që u përkasin pakicave kombëtare në veçanti komuniteteve rome, ashkali dhe agjiptase. (voa)