Në një raport të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres, theksohet, se veprimet e njëanshme të Prishtinës zyrtare në veri Kosovës kanë cenuar të drejtat e serbëve.
Në një raport të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së drejtuar Këshillit të Sigurimit përshkruhen shqetësime të rënda për të drejtat e njeriut që prekin komunitetin serb në Kosovë. Në këtë raport të datës 14 tetor 2024, përmenden veprime të njëanshme të autoriteteve të Prishtinës, keqfunksionim institucional dhe masa kufizuese shoqërore dhe ekonomike, që kanë cenuar të drejtat e serbëve të Kosovës.
Veprimet e autoriteteve sollën tension dhe mosbesim
“Autoritetet e Prishtinës ndërmorën një sërë veprimesh që kanë ndikuar në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera joshumicë”, thuhet në raport ku përmendet edhe reagimi i gjerë ndërkombëtar që dënuan veprimet e njëanshme të Prishtinës zyrtare. Ndër shkeljet kryesore përmenden “cenimi i të drejtave bazë, ndërprerja e shërbimeve jetësore, kufizimi i lirisë së lëvizjes, shpronësimet e pronave dhe shkeljet e të drejtave fetare dhe kulturore”. Të gjitha këto thuhet se kanë “kontribuar në tensione dhe mosbesim ndër komunitetet e prekura”.
Raporti dokumenton veprime të njëanshme nga autoritetet e Prishtinës ku siç thuhet “kanë çuar në mbylljen e institucioneve të financuara nga Serbia” , dhe në këtë mënyrë kanë vështirësuar jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera joshumicë. Po ashtu ngitet shqetësimi për veprime të mundshme kundër institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë, duke nënvizuar nevojën urgjente për të mbrojtur të drejtat ekonomike dhe shoqërore të këtyre komuniteteve.
Pengesa në jetën e përditshme
Në raport përmendet edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës BQK, përmes së cilës u ndalua përdorimi i Dinarit të Serbisë në Kosovë, duke e përcaktuar Euron si valutën e vetme për përdorim. “Kufizimet mbi mallrat serbe dhe mbyllja e zyrave postare serbe në komunat veriore kanë detyruar banorët e prekur të kalojnë linjat administrative për të siguruar shërbime esenciale, si tërheqja e pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale”, thuhet në raport. Aty theksohet se “këto veprime jo vetëm që pengojnë jetën e përditshme dhe të drejtat socioekonomike të të prekurve, por gjithashtu rrezikojnë përparimin dhe stabilitetin kolektiv”.
Në raportin e OKB-së tërhiqet vëmendja edhe për disa pretendime mbi shkeljet e të drejtave të njeriut të lidhura me zbatimin e ligjit. Aty përmendet arrestimi i katër të rinjve serbë nga Mitrovica e Veriut, ku thuhet se “ata janë keqtrajtuar duke iu mohuar edhe kujdesi shëndetësor”.
Rrezikim i stabilitetit
Në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së përmendet edhe masa e autoriteteve të Prishtinës ku “janë shpronësuar mbi 100 parcela toke në Zubin Potok dhe Leposaviq”, për projekte infrastrukturore pa konsultim lokal, duke ndikuar ndjeshëm të drejtat pronësore të serbëve të Kosovës. “Këto masa të përshkruara pa konsultim dhe transparencë të mjaftueshme, konsiderohen si rrezikim i stabilitetit dhe besimit në qeverisje”.
Raporti i OKB-së po ashtu thekson se “mediet serbe mbeten të kufizuara në Kosovë, duke bërë që gazetat e shtypura serbe të jenë të paqas’shme”. “Kjo kufizon qasjen e serbëve të Kosovës ndaj lirisë së shprehjes dhe informacionit, duke i penguar ata të ndjekin lajme dhe përmbajtje kulturore relevante”.
Në përfundim të këtij raporti, përmendet “nevoja urgjente për dialog dhe bashkëpunim”, dhe kërkohet të ndërmerren masa për të garantuar të drejtat e komuniteteve jo-shumicë, veçanërisht të serbëve të Kosovës, duke promovuar paqen dhe stabilitetin rajonal.
Kurti: Vendosim sundimin e ligjit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij pati thënë se “qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”.
Por Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, disa herë gjatë këtij viti përmes deklaratave janë shprehur të zhgënjyera me veprimet e pa koordinuara të qeverisë së Kosovës në veri të vendit. Një reagim i tillë i ashpër ishte pasi qeveria e Kosovës në dy operacione të ndara mbylli tetë filiale të Postës së Serbisë në Kosovë dhe disa komuna paralele serbe. “Veprimet e pa koordinuara i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe dëmtojnë emrin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, pati thënë në një reagim ambasada amerikane në Prishtinë.
dw