Rashiti: Qeveria mund të rrezikohet pas zgjedhjeve lokale

Rashiti“Qeveria e re e Kosovës është e dobët për nga numrat dhe jetëgjatësia e saj varet nga performanca”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti drejtor i Grupi Ballkanik për Politika në Kosovë. Ai thotë po ashtu se një performancë e lartë eventuale e Qeverisë së re mund të ulë apetitet opozitare për ta rrëzuar atë. Rashiti thekson po ashtu se një nga punët me të vështira për kryeministrin Haradinaj është çështja e Demarkacionit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, si e shihni ju pozicionin e Qeverisë së re të Kosovës në lidhje me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe zotimin e kryeministrit Haradinaj se versioni aktual i marrëveshjes duhet të hidhet poshtë?

Naim Rashiti: Ky është qëndrim i njohur i zotit Haradinaj, për të cilin besoj se do t’i mbetet besnik këtij qëndrimi. Nuk e di se si do të reflektojë brenda koalicionit qeverisës dhe në marrëdhënie me opozitën. Zoti Haradinaj do ta ketë një prej detyrave më të vështira në raport me Demarkacionin. Zgjidhja e kësaj çështje, e cila është komplikuar shumë edhe për faktin se pritjet e faktorit ndërkombëtar janë të atilla që të ketë një zgjidhje të shpejtë. Besoj që është tema më e vështirë në tavolinën e zotit Haradinaj.

Radio Evropa e Lirë: Sa mund të reflektojë në raportet me Malin e Zi dështimi eventual i kësaj marrëveshjeje nga ana e Kosovës?

Naim Rashiti: Parimisht nuk mund të ketë ndonjë telashe të madhe sepse marrëveshjet e tilla bëhen dhe nganjëherë nuk zbatohen apo refuzohen nga sovrani, Parlamenti, nëse ka një procedurë demokratike e cila respekton normat.

Nuk është diçka e re e cila do të bëj që Kosova dhe Mali i Zi të ulen prapë dhe të shohin ku përfundon kjo çështje. E rrugës është se edhe nëse ndodh anulimi i marrëveshjes në Kuvend, eventualisht të ketë një paralajmërim një diskutim me Malin e Zi për hapat që do të merren dhe nëse ndodh ashtu sigurisht kjo çështje do të përfundojë në arbitrazh.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, në skenën e brendshme politike të Kosovës ka një koalicion të ri qeverisës i cili për kah mbështetja në Kuvend është në kufirin e poshtëm, nëse mund ta quajmë ashtu. Sa prisni që kjo Qeveri të përmbushë disa prej atyre që janë cilësuar si prioritete, qoftë liberalizimin e vizave, zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë apo edhe themelimin e ushtrisë së Kosovës?

Naim Rashiti: Kjo Qeveri është e dobët për nga numrat dhe jetëgjatësia e saj varet nga performanca. Nëse krijon një dinamikë të re një performance të lartë eventualisht mund të rritet pranueshmëria apo apetitet për ta rrëzuar Qeverinë mund të zvogëlohen.

Kjo mbetet të shihet se sa serioze do të jetë opozita në tentativat për ta rrëzuar Qeverinë. Kjo mbetet të shihet pas zgjedhjeve lokale. Besoj se opozita po e pret rezultatin e zgjedhjeve lokale të shoh matematikat, pozicionet e të gjitha subjekteve politike, po në të njëjtën kohë edhe për partitë në pushtet.

Megjithatë, ky është formati i kësaj Qeverie. Kishim Qeveri shumë të madhe e cila nuk arriti t’i përballojë presioneve. [Kjo Qeveri ] është mirë që të fokusohet në përmbushjen e disa kërkesave ose rritjen e performancës së Qeverisë.

Liberalizimi i vizave mbetet tema e cila do ta atakojë Qeverinë për faktin që presioni është i madh dhe frustrimi i qytetarëve është shumë i madh në këtë çështje.

Ka edhe pak kohë apo durimi të Bashkimi Evropian për t’i dhënë vizat Kosovës dhe besoj fuqishëm që ata janë të interesuar që Kosova të marrë vizat me plotësimin atyre dy kushteve që kanë mbetur.

Çështjet kyçe që duhet të bëjë zoti Haradinaj për të dëshmuar se Qeveria e tij funksionon më mirë dhe performon më mirë, ka të bëjë me funksionimin e të gjitha institucioneve të shtetit me uljen e informaliteti, rritjen e prekshme të shërbimet për qytetarët, të infromalitetit, të shëndetësisë dhe një politikë shumë e drejtpërdrejt për ta atakuar performancën e ulët të gjyqësorit.

Nëse këtë perceptim arrin zoti Haradinaj ta ndryshojë përmes veprimeve, atëherë shoh që eventualisht Qeveria mund t’i përballojë thirrjeve të presioneve për t’u dorëzuar shpejt.

Megjithatë, temat e mëdha mbeten shumë delikate, siç është Demarkacioni dhe vizat. Kosovën nuk bën ta gjejë pranvera pa liberalizim të vizave nëse mund ta themi ashtu dhe Qeveria duhet të bëjë gjithçka që ta gjejë zgjidhjen.

Në raport me dialogun me Serbinë apo me marrëveshjen për Asociacionin, mendoj se për faktin që po fillon faza tjetër e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Qeveria dhe Kuvendi duhet ta paketojnë marrëveshjen e parë ta implementojnë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetues që ta heqin mundësinë që këto marrëveshje të rrokullisen, të futen në agjendën, në një agjendë më të madhe të bëhen çështje më të mëdha.

Kosova përfiton nga implementimi i marrëveshjes për energjetikën, telekomunikacionin, gjyqësorin por edhe asociacioni, sepse në këtë mënyrë do ta heq nga agjenda e madhe nga paketa e madhe.

Është në interesin e Kosovës dhe nëse subjektet politike arrijnë ta gjejnë një mënyrë për implementimin të shpejt të këtyre marrëveshjeve. Besoj se do të përfitojë shumë.

Radio Evropa e Lirë: Pjesë e këtij koalicioni është edhe Lista Serbe, krerët e së cilës së fundit ishin në Moskë. A prisni që kreu i Qeverisë së Kosovës të arrijë të gjej gjuhë të përbashkët me këtë subjekt politik, sidomos në lidhje me Asociacionin e komunave serbe?

Naim Rashiti: Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës i besojnë zotit Haradinaj po edhe zotit Veseli në raport me marrëdhëniet e tyre. Marrëdhënia e tyre do të jetë më e fiksuar dhe më pak labile. Natyrisht ata shpesh nuk marrin vendim vet ata dirigjohen. Shpesh ndodh që ata të marrin veprime ad – hok varësisht prej instruksioneve që marrin.

Kjo është frika se çfarë instruksione në çfarë momenti në çfarë kohe do të marrin [urdhra] nga Beograd. Nuk është çështja që kanë shkuar në Moskë. Janë akterë shumë të vegjël për të qenë partnerë të Moskës, po ata janë partnerë të Beogradit, detyrimisht partnerë të Beogradit dhe duhet shpesh të veprojnë ashtu siç i marrin urdhrat.

Këto ditë janë duke bërë kërdi duke menaxhuar dhe minuar çdo alternativë tjetër në zgjedhjet lokale. Duke bërë presion mbi njerëzit mbi institucionet, tek njerëzit që punojnë në KQZ [Komisionin Qendror të Zgjedhjeve], ndaj [të cilave presione] faktori ndërkombëtar nuk po bëhet i zëshëm. Esenca është serbët e Kosovës të krijojnë mekanizma që lidhen fuqishëm me Prishtinën, me Qeverinë dhe që të jetë më e pamundur institucionalisht [serbët] të keqpërdoren nga Beogradi siç po ndodh.

Radio Evropa e Lirë: Në përbërjen e re të Kuvendit, aktualisht ka edhe një opozitë mjaft të fuqishme. Presidenti Thaçi ka thirrur ndërkohë për krijimin e një ekipi të unitetit në lidhje me bisedimet me Serbisë. Sa mund të shihet opozita aktuale si pjesë e proceseve politike, sidomos dialogut me Serbinë, krah për krah Qeverisë Haradinaj?

Naim Rashiti: Unë mendoj se është shumë e mundur që të ketë një koordinim politik për një agjendë të dialogut. Natyrisht ka pikëpamje të ndryshme, ka pak antagonizma politik. Por, në fund subjektet politike do të bashkëpunojnë për agjendën e dialogut dhe për agjendat e tjera të përbashkëta. Ky duhet të jetë një mekanizëm për të krijuar një kulturë të bashkërendimit, bashkëpunimit Qeveri- opozitë sepse nuk mund të jenë të gjithë në Qeveri tani të shihet vet se si po dizajnohet dialogu.

Ka sinjale të qarta që po ndërtohet një proces dialogu për dy, tre vitet e ardhshme, e i cili do të kërkojë një përgatitje shumë të mirë të Prishtinës, institucioneve dhe politikës për ketë temë dhe tema të tjera, por në veçanti për këtë temë. Ajo që e ka karakterizuar këto vite politikën është minimi i vendimmarrjes politike edhe të subjekteve edhe koalicioneve edhe të liderëve. Liderët e subjekteve duhet t’i kthehen temave të mëdha t’i zgjidhin ato. Liderët janë për të marrë vendime të mëdha e të rëndësishme për vendin në çdo aspekt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>