Reagime pas ndalimit të sportistëve të Kosovës nga Serbia

BoksReagon Federata Ndërkombëtare e Boksit, AIBA dhe autoritetet e Kosovës pasi Serbia ndaloi në kufi dhe nuk lejoi përfaqësuesen e Kosovës që të merrte pjesë në Kampionatin e Boksit që zhvillohet në Beograd.

Autoritetet e Serbisë ndaluan në kufi dhe nuk lejuan ekipin përfaqësues të boksit të  Kosovës që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit që zhvillohet në Beograd. Ky refuzim nxiti reagimin e autoriteteve të Kosovës, por dhe të Federatës Ndërkombëtare të Boksit. Zyrtarët e Komitetit Olimpik të Kosovës, thanë se përfaqësuesja e Kosovës tre herë brenda fundjavës tentoi të hyjë në Serbi, por ata u ndaluan në kufi pa ndonjë shpjegim zyrtar të autoriteteve të Serbisë.

Kosova dënon veprimin serb

Në një njoftim të Komitetit Olimpik të Kosovës thuhet se”pas dy orë pritjeje në kufi dhe kontrollimi të detajuar të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhrin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi”.

“Komiteti Olimpik i Kosovës dënon ashpër veprimin e Qeverisë së Serbisë, derisa do të kërkojë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organet e tjera përkatëse të marrin masa ndaj Serbisë”, thuhet në reagimin e KOK. Autoritetet e Serbisë nuk dhanë ndonjë sqarim se pse nuk u lejuan sportistët e Kosovës që të hyjnë në Serbi, ndonëse Federata e Boksit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Boksit AIBA që nga viti 2014. Zyrtarë të AIBA-as thanë se Federata e Boksit të Kosovës nuk duhet të trajtohet ndryshe nga delegacionet, e çdo anëtar tjetër i AIBA-s”.

AIBA: Sporti të jetë i lirë nga politikat kombëtare

“Ne besojmë që të gjithë atletët duhet të kenë shanse të njëjta për të garuar dhe për të treguar aftësitë e tyre më të mira në ring. Sporti ka për qëllim të bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i lirë nga politikat kombëtare”, u tha në një reagim të AIBA, ku shtohet se janë në kontakt me autoritetet serbe që të zgjidhet kjo ҫështje.

Vendimi i autoriteteve serbe që nuk lejoi përfaqësuesen e boksit të Kosovës që të hyjë në Serbi, nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Kosovë. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha se “qeveria së bashku me aleatët po punojnë shumë për të hequr barrikadat ilegale të Serbisë kundër konkurrencës së ndershme në kampionatin botëror”.

“Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit ka shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit. Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor”, thuhet në reagimin e Ministrisë për Kulturë dhe Sport të qeverisë së Kosovës.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>