Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë u krye në vitin 2011, kur Kosova kishte rreth 1.8 milion banorë. Lista Srpska sërish u ka bërë thirrje serbëve që të bojkotojnë procesin e regjistrimit.
Në Kosovë ka nisur regjistrimi i popullsisë një proces ky që do të zgjasë një muaj e gjysmë. Herën e fundit regjistrimi i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, kur vendi kishte rreth 1.8 milion banorë. Për herë të parë në pyetësorin e regjistrimit përfshihet edhe dokumentimi për dëmet nga lufta në ekonomitë familjare. Qytetarët e Kosovës do të mund të dëshmojnë mbi dëmet e shkaktuara gjatë periudhës ndërmjet 28 shkurtit 1998 dhe 12 qershorit të vitit 1999.
Sërish bojkotim nga Lista Srpska
Procesi i fundit i regjistrimit të popullsisë gjatë vitit 2011 nuk u zhvillua në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, sepse, ishte bojkotuar nga serbët lokalë. Bojkotimi pritet edhe tek ky regjistrim, pasi partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Srpska u bëri thirrje serbëve që të bojkotojnë sërish procesin e regjistrimit të popullsisë të organizuar nga institucionet e Kosovës, ndonëse dënimet për ata që nuk pranojnë të regjistrohen në bazë të ligjit janë nga 30 deri në 2000 euro.
Lista Srpska përmes një deklarate për medie, thotë se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, duke i dërguar siç thonë një mesazh të qartë Albin Kurtit se, “populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e rrejshëm të ardhshëm në organizatën e tij, me të cilën ai dëshiron të konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve”.
“Pjesëmarrja në proceset e organizuara nga Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi serbët, pushtoi komunat me forcë, dhe militarizuan veriun e Kosovë”. Për më tej thotë lista Srpska, “krahas kësaj, Kurti dëshiron të sulmojë edhe Serbinë me këtë regjistrim me disa kërkesa për dëmshpërblime të luftës, gjë që e pengon edhe më shumë çdo serb të jetë pjesë e këtij procesi”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditë më parë tha se “autoritetet e Kosovës po përgatiten që Serbia të akuzohet si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”. “Gjatë procesit të regjistrimit, qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, pronat e shkatërruara si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, zhdukur, plagosur apo të burgosur. Kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999”, tha Albin Kurti gjatë një takimi me kryetarë të komunave të Kosovës.
Sa serbë jetojnë në Kosovë?
Që procesi i regjistrimit të popullsisë pritet të hasë në probleme në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, e pranon edhe kryetari shqiptar i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri. Ai deklaroi se shumica e regjistruesve serbë janë dorëhequr dhe nuk kanë nënshkruar kontratat dhe rrjedhimisht procesi mund të hasë në telashe teknike dhe logjistike. Në Kosovë sipas disa organizatave të shoqërisë civile, thuhet se jetojnë rreth 100 mijë serbë, ndonëse në regjistrimin e fundit të popullsisë të vitit 2011, janë regjistruar si qytetar të Kosovës vetëm 25 mijë serbë, shifër kjo jo reale për faktin që komunat në veri dhe disa komuna të tjera të banuara me shumicë serbe bojkotuan procesin e regjistrimit.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se informacioni i grumbulluar nga sistemet e zakonshme të regjistrimit të popullsisë përdoret për qëllime planifikimi, buxhetimi dhe taksimi, dhe për përcaktimin e përmbushjes së kritereve për të zgjedhur dhe për të pasur akses ndaj arsimimit, kujdesit shëndetësor, sigurimeve shoqërore, sistemeve të ndihmës ekonomike dhe pensioneve.
dw