Bashkimi Evropian pritet të nënshkruajë një marrëveshje me Kosovën javën e ardhshme, duke i hapur rrugën pranimit të vendit ballkanik në bllokun evropian, një veprim që shihet si i dobishëm edhe për afrimin e Serbisë drejt BE-së, thanë zyrtarët.
Ky veprim mund të shkaktojë shqetësim në disa shtete anëtare të BE-duke luftuar me lëvizjet e brendshme separatiste. Spanja, Qiproja, Rumania, Greqia dhe Sllovakia nuk e kanë njohur Kosovën që prej shkëputjes së saj nga Serbia në vitin 2008, nuk e njohin si shtet të pavarur atë.
Gjithsesi, kjo lëvizje nuk i ka penguar në të kaluarën këto vende, që të japin autorizimet e tyre, që BE-ja të niste negociatat me Kosovën, në mënyrë që të shuheshin tensionet nacionaliste në Ballkan. Kosova i ka mbyllur bisedimet me BE-në në korrik të vitit 2014 për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, një hap më tej drejt anëtarësimit eventual në BE, që sjell edhe përfitime të mëdha ekonomike.
Javën e ardhshme shefja e Punëve të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe komisioneri i zgjerimit të BE-së Johannes Hahn do të nënshkruajë marrëveshjen, sipas burime për “Reuters”, dhe do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm. “Nënshkrimi i marrëveshjes do të përforcojë perspektivën evropiane të Kosovës dhe gjithashtu do të ndihmojë në stabilizimin e brendshëm”, tha një zyrtar i BE-së për “Reuters”. (shekulli)