Hetime e gjykime vazhdojnë edhe pas 20 vjet të përfundimit të luftës, ndërkohë nuk dihet saktë numri i atyre që morën pjesë si luftëtarë. Teksa të gjithë flasin për këtë çështje, rreth 37 mijë persona marrin pension si veteranë, e të gjithë krerët e vendit deklarojnë se ishin vetëm, rreth 15 mijë luftëtarë.
Thuhet shifra të ndryshme kur kërkohet numri i tërësishëm i atyre që morën pjesë në luftën fundit në Kosovë. Përveç imazhit të UCK-së tashmë po dëmtohet edhe buxheti i shtetit.
Teksa hetimet vazhdojnë, rreth 37 mijë persona marrin pensionin.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tregon sa janë aktualisht, e që sipas tij, numri po rritet vazhdimisht.
“Ato shifra aktualisht lëvizin çdo ditë, sepse çdo ditë ka kërkesa të reja. Nëse nuk gaboj, sot nuk e kam marrë numrin e saktë, por janë rreth 37 mijë të cilat hyjnë në sistemin e pagesave, dhe ajo çka mund të ju garantoj veteranëve dhe qytetarëve ështe se ne kemi obligim moral dhe qytetar që të kujdesemi që të kemi buxhet, se ato të drejta të garantuara me ligj, ne duhet t’i zbatojmë në praktikë. Dhe përgjegjësia ime si ministër është që ne të planifikojmë buxhet për pagesat e tyre sipas ligjit”, thotë Reçica.
Pas luftës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përmbylli mandatin e saj më 13 qershor. Më 29 qershor ajo u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, (TMK). Një prej detyrave të para në atë kohë ka qenë regjistrimi i veteranëve dhe i armëve që janë shfrytëzuar në luftë.
Shefi i logjistikës së shtabit të përgjithshëm në TMK aso kohe, Kadri Kastrati, tregon për Kosova Press se sa ka qenë numri i veteranëve të regjistruar në atë kohë.
“Një prej detyrave që ka qenë menjëherë pas luftës ka qenë regjistrimi i veteranëve dhe regjistrimi i armëve që kemi pas, për arsye se demilitalizmi ka kërkuar një numër të armatimit sa kanë qenë edhe ushtar me i deponue në depot sipas marrëveshjes që kemi pasur me KFOR-in. Dhe saktë me Jonin dhe shtabin e përgjithshëm të TMK-së në atë kohë kanë qenë të regjistruar 13,458 veteranë luftëtarë, njerëz të pushkës dhe të uniformës që kanë qenë në vija të frontit të cilët i kanë dal në ballë armikut gjatë luftës 98-99”, thotë Kastrati.
Për numrin e veteranëve, ka deklaruar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili thotë se nuk ka pasur më shumë se 15 mijë veteranë të luftës.
“Të gjithë e dijmë se në listat zyrtare të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë qenë më shumë se 12 mijë deri në 15 mijë… kur flas për 12 mijë deri në 15 mijë luftëtarë, që kanë qenë me armë në dorë dhe uniformë duke vlerësuar dhe respektuar kontributin e secilit qytetar që për mua të gjithë pa dallim, janë çlirimtarë të Kosovës për kontributin që e kanë dhënë në një formë apo tjetrën”, ka deklaruar Thaçi.
Këto deklarata të presidentit Thaçi, nënkryetari i organizatave të dala nga lufta (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj, po i quan spekulative, duke shtuar se ende është e paqartë fjala “veteran”.
“Ne nuk mund të spekulojmë me numra sepse kemi shumë paqartësi rreth fjalës veteran dhe kur them ashtu unë mendoj që ndoshta aty ka menduar presidenti tek veteranët luftëtarë. Në opinion është përhapur një fjalë e madhe sa është ka keqpërdoret fjala veteran. Sepse veteran është edhe veterani pjesëmarrës, veteran është edhe ndihmësi në luftë, nëse thojmë vetëm si veteran atëherë unë mendoj që edhe numri 100 mijë po të jepët është real, mirëpo kur shkojmë te kategoria e parë e veteranëve, sepse më shumëështë ka përdoret fjala tek këta me pagesë, unë mendoj që këto lista janë të fryera, ose janë të plasuara keq, ose nuk janë të riklasifikume drejtë sipas ligjit”, thotë ai.
Thotë se janë të panevojshme të gjitha këto diskutime, përderisa është një ligj i aprovuar në Kuvend, i cili, sipas tij, asnjëherë nuk është implementuar.
Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë të cilën e dërgoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për lëndën që trajton çështjen e veteranëve të UÇK-së, në drejtim të veprës penal – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në lidhje me këtë, po ashtu, janë publikuar lista e atyre që dyshohet se përfitojnë kundërligjshëm në emër të statusit të veteranit të luftës. (rtk)